
Kurti dhe Vuçiq me vizita të ndara në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti pritet që javën e ardhshme, nga 28 deri më 30 prill të realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se mori drejtimin e ekzekutivit. Kështu kanë konfirmuar burimet e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke thënë se janë duke bërë përgatitjet finale për agjendën e takimeve që Kurti do të ketë me përfaqësuesit e lartë të bllokut evropian.
Sipas të njëjtave burime, pritet që Kurti të ketë takim me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyn, Përfaqësuesin e lartë Josep Borrell si dhe Komisionerin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi, raporton REL.
Dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave, pritet të jenë tema kryesore të këtyre takimeve.
Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo ka bërë që në media të paraqiten edhe spekulime se do të mund të ketë takim Kurti-Vuçiq. Por, në BE thonë se “nuk janë në dijeni për një mundësi të tillë”.
Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill t’i zhvillojë takimet në Bruksel, ndërkaq, Kurti një ditë më pas.
Që të dy do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.