Kurti: Dorëheqje nuk jap

22 mars 2024 | 16:22

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur sërish të premten se nëse opozita dëshiron zgjedhje të reja, atëherë është i gatshëm të ulët dhe të bisedojnë së bashku për shpërndarjen e Kuvendit, por ka thënë se rrëzim të qeverisë nuk do të ketë.

“Nuk kam deklaruar ashtu, por jam përgjigjur pyetjes së gazetares. Shtrohet pyetja pse më ka pyetur gazetarja. Ajo më ka pyetur sepse ka presupozuar dëshirën e opozitës. Nëse nuk do të kishte dëshirë të opozitës, nuk do të kishte pyetje të gazetares dhe rrjedhimisht nuk do të kishte përgjigje timen. Pra, gjithçka ndërtohet mbi hipotezën që opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, mund ta bëjmë me 2/3 e votave të Kuvendit shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat. Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që bëjmë. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë e mirë nuk rrëzohet. Qeveria vazhdon, mirëpo nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi ne 12 muaj në vitin e fundit, por të kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrëzojmë Qeverinë”, ka thënë Kurti gjatë një konference për medie, në të cilën foli për trevjetorin e qeverisjes së tij.

Ai ka thënë se dëshira e tij është që ta vazhdojë qeverisjen. “Dorëheqje nuk jap”, ka thënë Kurti.

Ndaj deklaratës së Kurtit, ka reaguar të premten ish-kryeministri dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të deklarohet për mundësinë për shpërndarjen e Kuvendit si dhe të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të kryeministrit, Albin Kurti.

“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin. Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensusi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të kryeministrit. Kosova sot përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi. Përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”, ka shkruar në “Facebook” Haradinaj.

Edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia që drejton prej vitit të kaluar ka bërë thirrje që të shpërndahet Kuvendi. “Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetur pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, ka shkruar në “Facebook” Krasniqi.

Rrëzimin e qeverisë Kurti e ka kërkuar në vazhdimësi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rregullorja e BQK-së për…