Kurti e ka luajtur rolin tërësisht gabim, vetëmenaxhimi do të sjellë pasoja afatgjatë

29 mars 2023 | 08:32

Me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, ka deklaruar ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Ai ka theksuar se nëse “vetëmenaxhimi” do t’i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, është i bindur se nuk do ta kalonte.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka luajtur gabim rolin e tij, dhe për rrjedhojë, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën.

I ftuar në Dukagjini, Hasani ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ajo e Brukselit, i japin autonomi komunitetit serb në Kosovë.

“Pa asnjë diskutim. Jo veç të Veriut, por komunitetit serb në Kosovë. Veriut është pak më e theksuar, mund të vendosen institucionet… pa asnjë diskutim. Territoriale për aq sa zbatohet në Veri”, ka thënë Hasani, gjersa ka theksuar se “Kryeministri i Kosovës ka luajtur rolin tërësisht gabim dhe kjo do të ketë pasoja afatgjatë”.

Ndër të tjera, ish-kryetari Hasani ka thënë se me krijimin e Asociacionit do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, e me të, edhe e quajtura “Kushtetuta materiale”.

“Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila e rregullon materien e Kushtetutës, siç e rregullon kjo Kushtetuta Formale që e ka votuar Kuvendi, por pa ndjekur procedurat. Kjo është ‘Kushtetutë materiale’ e Kosovës që po krijohet. Këto struktura të kësaj autonomie të komunitetit serb do ta rivalizojnë, nuk është pushtet i tretë, se po të ishte pushtet i tretë e ke një kontroll mbikëqyrës”.

Ndër të tjera, Hasani ka deklaruar se një gjë e tillë ka dalë jashtë kontrollit të Kushtetueses dhe se po krijohet një rend i ri i saj, me të cilin, do të mësohet të jetohet. Sipas tij, nëse “Vetëmenaxhimi” do t’i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, nuk do ta kalonte.

“Asnjëherë…jam i bindur që jo”, ka deklaruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përpos arkitekturës dhe madhështisë, ndërtesat dhe statujat ikonë të botës…