Kurti e njofton ambasadoren e Holandës për prioritetet e qeverisë së re

19 nëntor 2019 | 10:34

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Agim Bahtiri, ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems.

Ambasadorja Willems e uroi Kurtin për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë.

Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofrojē mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.

Kurti ka njoftuar Willemsin se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë.

Kurti ka përmendur rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe ka theksuar nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

Sipas njoftimit të LV-së, ambasadorja Willems ka theksuar se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE).

Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e gjashtë, të hënën, në Qendrën për Numërim…