Kurti e pranon  se LV-ja dështoi në zgjedhjet e fundit lokale

23 tetor 2022 | 14:13

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie dhe kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e fundit lokale, ku partia që drejton ka fituar vetëm katër komuna.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, Kurti i ka quajtur “moment jo fort të mirë”.

Ai ka thënë se për këtë ka diskutuar gjatë mbledhjeve në Këshillin e Përgjithshëm, në mbledhjet me qendrat e LV-së dhe në kryesi.

Kurti ka thënë se kanë bërë “vetëkritikë e kritikë” dhe se kanë punuar “drejt zgjidhjes së problemeve”.

“Natyrisht, ka pasur edhe momente jo fort të mira, siç ka qenë p.sh., performanca në zgjedhjet lokale sa i përket komunave që udhëheqim, meqenëse ne i fituam për kryetarë vetëm katër sosh. Gjilanin me Alban Hysenin, Besianën (Podujevën) me Shpejtim Bulliqin, Shtimen me Qemajl Aliun dhe Kamenicën me Kadri Rrahimajn. Për këto ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e KP, në mbledhjet me qendrat e Lëvizjes sonë, në kryesi të Vetëvendosjes kemi bërë vetëkritikë e kritikë, dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemeve. Pikërisht duke patur ndërmend forcimin e organizatës dhe rritjen e pjesëmarrjes demokratike, kemi punuar për themelimin dhe funksionalizimin e dy organizatave të reja që tash e tutje do të funksionojnë brenda LV-së. Ato janë Gratë për Vetëvendosje, me në krye Albulena Haxhiun, dhe Rinia për Vetëvendosje me në krye Behar Jasharin. Jo për të krijuar ndonjë hapësirë të veçantë për gratë e për të rinjtë ndaras prej Lëvizjes, por vetëm si çelës që ata të jenë prezentë gjithnjë e më shumë në të gjitha nivelet dhe strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse sot, meqë ra fjala, ende nuk kemi një numër të mjaftueshëm grash e të rinjsh edhe në këtë Këshill të Përgjithshëm. Kjo gjë megjithatë do të rregullohet shpejt, pikërisht si rezultat i punës së GVV-së dhe RVV-së”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka…