Kurti: Epopeja e UÇK-së dhe sakrifica e familjes Jashari, të papërsëritshme

06 mars 2024 | 20:24

ë 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është mbajtur akademi përkujtimore. Me këtë rast u çmua e vlerësua sakrifica e familjes Jashari në Prekaz, jo vetëm në datat e flijimit më 5, 6 e 7 mars 1998, por para e pas këtyre datave e deri në ditët e sotme.

Kryeministri Albin Kurti tha se në kalendarin e ditëve të shënuara në Republikën e Kosovës datat 5,6 dhe 7 mars janë të rrethuara me të kuqe, teksa sipër tyre është shkruar me shkronja kapitale Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sivjet, sipër këtyre fjalëve është shkruar 26 vjet lavdi. Janë 26 vjet lavdi, sepse çdo vit që kalon lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së UÇK-së sa vjen e shtohet”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai tutje tha se të gjithë duhet ta ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë e lavdishme të Epopesë së UÇK-së dhe se përmes projektit për restaurimin e Kompleksit Memorial të Jasharëve në përvjetorët e ardhshëm Prekazi do të shndërrohet në një vend historik e dinjitoz që tregon për rezistencën e Jasharëve.

Në emër të familjes Jashari, e mbijetuara e vetme, Besarta Jashari, kujtoi zërin e babait të saj Hamëz Jashari e xhaxhait Adem Jashari teksa këndonin duke luftuar me forca të shumta të armikut që i kishin rrethuar. Ajo kujtoi se si shtëpia e tyre ishte përgatitur për luftë duke vendosur thasë me rërë e duke mbyllur dritaret me orenditë e shtëpisë.

“Në qetësinë e agut të mëngjesit po dëgjohej zhurma e armikut që po na rrethonin, unë dola të mbledhja dru ku edhe takova për herë të fundit babushin. Pas rreth një ore nisi shkrepja e armëve sepse armiku kishte rrethuar. Buka ishte pjekur, e bërë gati por askush nuk hëngri e as Blerina e vogël. Luftimet nuk ndalinin, bali Adem ishte duke luftuar, herë pas herë vinte të na pyeste se a jemi mirë? Aty u vra….Herë pas herë dëgjohej edhe babushi duke luftuar. O Bali Hamëz të lumtë!Deri të nesërmen buka nuk u kërkua sikur prisnim të mblidheshim. Ditën e premte 6 mars, nënë Feridja nxorri bukën të na jepte nga një copë, shumica ishin gjallë. Në atë darkë të fundit nuk di çka kemi folë. Kënga e babushit nuk dëgjohej ma, edhe Bali Adem u vra”, tha mes tjerash Besarta Jashari.

Në fund të fjalimeve në këtë Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së, sopranoja Arta Jashari performoi me dy pika muzikore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thellimi i bashkëpunimit dhe koordinimit në proceset nëpër të cilat…