Kurti: Është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov

24 qershor 2026 | 12:13

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar institucionet e Kosovës për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të Policisë së Serbisë, të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut.

Kurti ka deklaruar se arrestimet janë bërë pas një hetimi gjashtëmujor, por ka theksuar se është shqetësues fakti që deri në vitin 2020 askush nuk ishte marrë me këtë rast.

“Afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të Policisë së Serbisë. Përderisa në njërën anë i përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas, siç u tha, një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjëra s’ishte për Masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekjen e përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, ka deklaruar Kurti.

Tutje, ai ka theksuar se, derisa po afrohen tri dekada nga përfundimi i luftës, shumë dëshmitarë po plaken, ndërsa një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë, andaj është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e luftës të intensifikohen.

“Derisa po i afrohemi tri dekadave nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak edhe kanë vdekur. Andaj është e domosdoshme që hetimet e gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar. Si qeveri, jemi gjithnjë të interesuar, të angazhuar dhe të përkushtuar të ndihmojmë në këtë drejtim”, ka deklaruar Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në…