Vdekja e kadetit policor në aksident, Apeli ua vërteton dënimin dy të akuzuarve
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim, për aksidentin e ndodhur në nëntor të vitit 2022, ku humbi jetën kadeti policor F.Sh.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Salih Mekaj, të dëmtuarit E.Sh., mbrojtësit të të akuzuarit Arton Duraku, avokatit Shefqet Ibrahimi, si dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, të përpiluar më 4 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores kishte paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Pejë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin. Prokuroria kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit dhe shqiptimin e dënimeve më të ashpra për të akuzuarit.
Ankesë kishte paraqitur edhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Salih Mekaj, i cili kishte kërkuar ndryshimin e cilësimit juridik të veprave penale dhe shqiptimin e dënimeve më të ashpra.
I dëmtuari E.Sh. kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin, duke kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Arton Durakut, avokati Shefqet Ibrahimi, kishte paraqitur ankesë duke kërkuar dënim më të butë për veprën e parë penale dhe lirimin nga akuza për veprën e dytë ose kthimin e çështjes në rigjykim.
Ndërkaq, Nezir Duraku kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënimin, duke kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e çështjes në rigjykim.
Prokuroria e Apelit kishte propozuar aprovimin e ankesës së Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, ndërsa refuzimin e ankesave të Arton dhe Nezir Durakut si të pabazuara.
Kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga kryetari Mentor Hajra dhe anëtarët Xhevdet Abazi e Valbona Musliu-Selimaj, ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë dhe se nuk ka pasur shkelje të Ligjit Penal.
Sipas vendimit, Gjykata Themelore ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për rikualifikimin e veprës penale nga forma e dashjes eventuale në formën e pakujdesisë.
Apeli ka vlerësuar se ky rikualifikim është mbështetur kryesisht në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila ka konstatuar se Arton Duraku, në momentin kritik, ka ndërmarrë veprime konkrete për shmangien e aksidentit duke manovruar me timon, por përplasja ka ndodhur si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në shiritin e kundërt.
Për veprat penale të “Mosdhënies së ndihmës”, Apeli ka mbështetur rikualifikimin në formën bazë, pasi eksperti mjekoligjor ka konstatuar se viktima F.Sh. ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shkurtër si pasojë e gjakderdhjes masive. Për këtë arsye, sipas gjykatës, nuk janë plotësuar kushtet për formën e kualifikuar të këtyre veprave penale.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se, megjithëse të akuzuarit e kanë parë viktimën ende gjallë dhe kanë dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, rikualifikimi në paragrafin 1 të neneve përkatëse është i drejtë, pasi vdekja ka ndodhur shumë shpejt dhe ndihma eventuale nuk do të kishte pasur efekt shpëtues.
Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara janë proporcionale me rrethanat e rastit, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, përfshirë faktin se të akuzuarit nuk kanë qenë të dënuar më parë, moshën e re të viktimës, faktin se ai ishte baba i një fëmije të mitur, largimin nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë dhe përpjekjet për fshehjen e veprës.
“Për të akuzuarin Nezir Duraku si rrethanë rënduese është marrë shkalla e lartë e dashjes në kryerjen e veprës penale, largimi nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndihmë personit të lënduar dhe përpjekjet maksimale për ta fshehur kryerjen e veprës penale”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, Apeli ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e të dëmtuarit E.Sh. për bazat e tjera ankimore, përveç vendimit për dënimin, duke u bazuar në nenin 381 paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale.
Në gjykimin e parë, Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar me gjithsej 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Pejë. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, por më pas Gjykata Supreme kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, duke anuluar vendimet e të dy shkallëve dhe duke e kthyer rastin në rigjykim.
Më 14 janar 2025, në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar Arton Durakun me 6 vjet e 8 muaj burgim dhe Nezir Durakun me 10 muaj burgim. Rasti ishte kthyer sërish në rigjykim nga Apeli më 5 maj 2025, ndërsa më 4 nëntor 2025, Themelorja e kishte dënuar Arton Durakun me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe Nezir Durakun me 10 muaj burgim.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, Arton dhe Nezir Duraku e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 2 mars 2023, Arton Duraku më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Klinës, duke shkelur rregullat e trafikut publik, i kishte shkaktuar vdekjen F.Sh.
Sipas aktakuzës, ai po drejtonte pa patentë shofer një kamion të markës “Mercedes Atego”, të paregjistruar dhe teknikisht të parregullt. Duke lëvizur në drejtimin Skenderaj–Klinë, ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke tejkaluar kufirin e lejuar prej 50 km/h dhe duke lëvizur me mbi 90 km/h. Më pas kishte kaluar në shiritin e kundërt, ku ishte përplasur me automjetin “Opel” që drejtohej nga F.Sh., i cili kishte humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra.
Aktakuza e ngarkon Arton Durakun edhe për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, pasi pas aksidentit ai dhe babai i tij, Nezir Duraku, kishin dalë nga kamioni, ishin afruar te viktima, por nuk i kishin ofruar ndihmë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, Nezir Duraku akuzohej për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”, pasi, ndonëse kishte mundur ta bënte këtë pa rrezik për veten apo të tjerët, nuk i kishte ofruar ndihmë viktimës, duke u larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me të birin.



