Kurti: Familjarët e kapësve të shtetit janë bërë të paprekshëm

24 tetor 2018 | 12:06

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ndaj rastit ‘Maxhuni’.

Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë por edhe për reformë të sigurisë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të presidentit të pranuara nga kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar.

Kur kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike. Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur. Paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave. Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë. Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike. Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqinjtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policor kundër krimit ekonomik dhe…