Kurti i telefonon Macronit, i ankohet për disa “përpjekje antikushtetuese”

09 prill 2020 | 10:18

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emannuel Macron, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale lidhur me koronavirusin, si dhe për atë politike. Sipas njoftimit për media nga Qeveria e Kosovës, Kurti e ka falënderuar presidentin francez për mbështetjen që ka dhënë për Kosovën në luftën kundër koronavirusit.

“Më së pari, z. Kurti e falënderoi Presidentin dhe qeverinë franceze për mbështetjen që i kanë dhënë Franca dhe Bashkimi Evropian Kosovës në luftën kundër COVID-19. Ndihma evropiane e caktuar për Kosovën filloi me 5 milionë euro dhe do të kapë vlerën e përgjithshme prej 68 milionë eurosh. Z. Kurti e informoi presidentin Macron për masat e marra prej qeverisë dhe rezultatet. Beteja kundër virusit COVID-19 mbetet prioritet i drejtpërdrejtë i qeverisë në detyrë”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu, bëhet me dije se Kurti ka diskutuar me Macron edhe për deklaratën e përbashkët franko-gjermane lidhur me mocionin, derisa ka përsëritur se janë kundër krijimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje. “Çdo përpjekje tjetër për të prodhuar ndryshe ndonjë qeveri në gjendjen aktuale të gjërave do të kalojë përmes udhëve antikushtetuese. Zgjedhjet e reja politike janë të mundshme vetëm pas zgjidhjes së krizës shëndetësore. Nga ana e tij, Presidenti francez shprehu aprovimin për trajtimin e krizës shëndetësore prej qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Macron dhe Kurti, është bërë me dije në njoftimin e qeverisë, se kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi. “Më pas, Presidenti francez dhe Kryeministri folën për dialogun dhe angazhimin përkatës për një përgatitje të vërtetë dhe për një pjesëmarrje të vërtetë të palëve në këtë dialog. Në këtë perspektivë, presidenti Macron shprehu mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë. Ai premtoi rritjen e rolit të Francës dhe të atij vetë në lehtësimin e dialogut. Ky do të jetë, sipas tij, edhe synimi i samitit të Parisit për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, samit i organizuar nën drejtimin e Francës dhe Gjermanisë, me Bashkimin Evropian, sapo të krijohen kushtet e duhura.

Kryeministri në detyrë, Kurti, premtoi, nga njëra anë, se Evropa nuk do të ketë kurrë surpriza, ngaqë qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit dhe, gjithashtu, realizimin e premtimeve të bëra para zgjedhësve. Nga ana tjetër, ai nënvizoi faktin se efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës. “Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntina Maloku, ka përsëritur…