Kurti kërkon dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj

25 maj 2018 | 12:07

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të vazhdohet të qeverisët Kosova me ketë qeveri e cila sipas tij është pa mbështetje dhe jofunksionale.

Ai në hapje të tryezës se organizuar nga Vetëvendosje, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jap dorëheqje.

“Nuk mund të vazhdohet në këtë qeveri pa mbështetje, qeveri jofunksionale, që po na mban në krizë politike e në krizë ekonomike prej se filloi punën. Ne nuk dëshirojmë të besojmë se një qeveri e tillë do të mbahet në pushtet nga ndonjë patericë pseudo-opozitare. Haradinaj duhet të jap dorëheqje ose qeveria e tij le ta testojë besimin në Kuvend. Nëse asnjëra nga këto nuk ndodh, do të detyrohemi të iniciojmë ne si opozitë, në bashkëpunim me forcat opozitare, mocionin e mosbesimit në Kuvend”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Të nderuar kryetarë dhe ju përfaqësues të tjerë të subjekteve politike të Republikës së Kosovës,

Të nderuar gazetarë dhe të pranishëm të tjerë,

Mirë se keni ardhur në këtë tryezë me temë e titull “Zgjidhja përmes zgjedhjeve”, nikoqir i së cilës kësaj radhe është Lëvizja Vetëvendosje! Ne jemi një subjekt politik demokratik i cili beson në demokraci, e praktikon dhe e ushtron demokracinë brenda vetes si dhe e afirmon atë kudo. Ne besojmë se zgjidhjet duhet të jenë demokratike, ne besojmë në zgjedhje të lira të qytetarëve dhe ne besojmë se sovraniteti shtetëror në republikë e ka për burim popullin që zgjedh.

Ka një përpjekje që në tryeza të këtilla të diskutohen çështje politike që i takojnë parlamentit. Kjo është e papranueshme, sepse ne jemi republikë parlamentare dhe çdo miratim e çdo konsensus për ndonjë vendimmarrje duhet kërkuar në kuvend, dhe nuk ka nevojë për tryeza e sajesa të tjera të tilla. Nëse ka ndonjë kuptim kjo tryezë, ajo është për të gjetur konsensus për zgjedhjet, sepse në një demokraci parlamentare nuk është e udhës të qeverisë pakica.

Në republikën parlamentare çfarë është shteti ynë i pavarur, qeveria duhet të jetë qeveri e shumicës e cila mirëmbahet nga shumica parlamentare. Qeveria aktuale, në rastin më të mirë për të, i ka 52 deputetë. Kjo është qeveri e pakicës e cila keqmbahet nga pakica. Kurrë nuk ka pasur më pak mbledhje të Kuvendit të Kosovës dhe projekt-ligje të qeverisë sikurse tani. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë nëse duam të vazhdojë funksionimi institucional i vendit tonë. Nga raporti “Vendet në tranzicion, 2018” i Freedom House, Kosova ndodhet më keq se Bosnja dhe Hercegovina sa i përket nivelit te demokracisë: 4.93 kundrejt 4.64.

Mirëpo, vështirë se ka mundur të jetë ndryshe. Le t’ia përshkruajmë qeverisë veten e saj:

1) E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe;

2) E vazhdoi me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë malltretuar njerëzit gjatë luftës;

3) I bëri plot 21 ministra, 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin porsi plaçkë;

4) Duke i shkelur së paku tri ligje, Ligjin e ZRrE-së, Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nënshkroi kontratën kapitulluese për termocentralin e ri me një fond investiv privat “Contour Global” të cilit ne ia garantojmë shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18,5%, kurse qytetarëve ua shtrenjtojmë energjinë elektrike;

5) Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë – rritja e pagës vetvetes është hajni;

6) Organizoi faljen e borxheve publike të ndërmarjeve të papërgjegjshme, a thua se po falte nga kuleta e vet. Falte jashtëligjshëm borxhe. Mund ta falësh gjobën ose ndëshkimin, por jo borxhin. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi në republikë parlamentare e jo qeveria. Falja e borxhit të privatit ndaj shtetit është privatizim abuziv.

7) Ratifikoi demarkacionin e Mehës dhe Thaçit me Malin e Zi, i cili na e ndryshon kufirin e na i humbet 8.200 hektarë;

8) Mashtroi për liberalizimin e vizave, ndërsa ne mbetemi ende vendi me qytetarët më të izoluar në Evropë;

9) E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj;

10) E dërrmoi Postën dhe Telekomin e Kosovës me keqmenaxhim e mbipunësim duke i shkaktuar humbje të mëdha drejt një bakrotimi të qëllimshëm;

11) Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale;

12) Na e diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e ç’regjistruar atë nga cilësia evropiane;

13) Si deficiti tregtar e borxhi publik po ashtu edhe mjerimi social vetëm sa janë rritur;

14) Pagoi 1 milionë euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike;

15) Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj.

Për këto të fundit kryeministri Haradinaj tha se nuk e ka ditur. Ndërkohë ai jep intervista për mediet në Serbi ku e tallin dhe shajnë shtetin tonë kurse Haradinaj qeshet. Çka din ky kryeministër? Nuk e di se çka din ky kryeministër, por e di se ky është një kryeministër të cilin presidenti Thaçi e ka marrë me qira, sidomos për ‘Demarkacion’ por edhe për ‘Zajednicë’. Pra, ky nuk është kryeministër, por është ushtrues detyre i kryeministrit.

Në rast se duhet të ketë etikë në politikë, e ne besojmë që duhet të ketë etikë në politikë, ky kryeministër duhet të jap dorëheqje. Pra, kryeministri Haradinaj duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të lira e demokratike. Këto të zeza që na i bëri, Haradinaj nuk ua ka premtuar qytetarëve në fushatë para një viti. Le të shkojmë në zgjedhje dhe aty mandej banorëve të Rugovës le t’ua hedhë hartën fytyrës siç ia bëri Murat Mehës.

Kush mund të ketë besim në kryeministrin Haradinaj? Dikur e mbante bajrakun kundër demarkacionit dhe porsa u bë kryeministër e ndërroi tërësisht qëndrimin. Kurrë nuk kam besuar që pas raportit të Komisionit Bulliqi, ai na e sjell ratifikimin e demarkacionit Meha. Ky kryeministër për karrige e bën edhe ‘Zajednicën’. Le të shkojmë në zgjedhje të reja dhe aty në fushatë Haradinaj e Veseli le të thonë pse është mirë ta draftojnë statutin e ‘Zajednicës’ për çfarë kanë formuar grup punues.

Për të gjitha këto arsye që i përmenda, është e drejtë dhe detyrë e jona të kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

Nëse ai nuk do, atëherë është e drejtë dhe detyrë e tij që ai ta hedhë qeverinë e tij në votëbesim në Kuvend, sepse kështu e thotë neni 31 i Rregullores së Punës së Kuvendit dhe neni 100, pika 2, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe sepse shteti ynë është republikë parlamentare ku duhet të qeveris shumica dhe vetëm shumica.

Nuk mund të vazhdohet në këtë qeveri pa mbështetje, qeveri jofunksionale, që po na mban në krizë politike e në krizë ekonomike prej se filloi punën. Ne nuk dëshirojmë të besojmë se një qeveri e tillë do të mbahet në pushtet nga ndonjë patericë pseudo-opozitare.

Haradinaj duhet të jap dorëheqje ose qeveria e tij le ta testojë besimin në Kuvend.

Nëse asnjëra nga këto nuk ndodh, do të detyrohemi të iniciojmë ne si opozitë, në bashkëpunim me forcat opozitare, mocionin e mosbesimit në Kuvend.

Ju faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesëmbëdhjetë njerëz janë plagosur nga një shpërthim në provincën Ontario…