Kurti kërkon nga ndërkombëtarët ta vëzhgojnë procesin e regjistrimit të popullsisë shqiptare në Serbi

31 tetor 2022 | 13:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe pasurive në Serbi.

Ai ka thënë se me gjithë diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët në Serbi, ata i janë përgjigjur masivisht procesit të regjistrimit, shkruan lajmi.net.

Kurti ka thënë se që nga dita e parë ka bërë thirrje që regjistrimin e popullsisë mos të trajtohet vetëm si veprim të natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik.

“Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarë të tjerë. Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka thënë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rreth, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të nderuar qytetarë shqiptarë në Serbi,

Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,

Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.

Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar.

Po ashtu, falënderoj punëdhënësit në Kosovë, që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim. Njëkohësisht u bëj thirrje, që njëjtë të veprojnë edhe pasditen e sotme.

Të nderuar bashkëkombas,

Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare.

Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.

Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,

Pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbër Kuka shpall te pavlefshme diplomen e shkolles se mesme…