Kurti: Kosova edhe këtë vit do të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon

20 tetor 2025 | 15:29

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim anëtarët e Shoqatës Gjermane për Kombet e Bashkuara (DGVN).

Në bashkëbisedimin me ta, Kurti ka theksuar se bashkëpunimi mes njerëzve dhe organizatave është kyç në kohët ku po jetojmë, është i rëndësishëm për demokracinë, lirinë dhe paqen. Në vijim, Kurti ka folur rreth arritjeve dhe sukseseve të qeverisë përgjatë këtij mandati.

“Në katër vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare e vendit ka qenë rreth 6 për qind, ndërkohë që sipas FMN-së Kosova do të vijojë të jetë e para në rajon edhe këtë vit sa i përket rritjes ekonomike. Kjo është arritur ndër të tjera edhe falë dyfishimit të investimeve të huaja direkte, dyfishimit të eksporteve dhe uljes së papunësisë. Kryeministri Kurti shtoi se sipas modelit gjerman, edhe në Kosovë, po e lidhim përmes sistemit dual, arsimin me tregun e punës. Ndër arritje të tjera të qeverisë dhe punës së zhvilluar gjatë katër viteve të fundit, kryeministri theksoi dhe liberalizimin e vizave, e cila sjell lëvizjen e lirë drejt vendeve të zonës Shengen. Kryeministri foli edhe rreth rëndësisë së diasporës, veçanërisht në Gjermani ku jetojnë rreth 600 mijë shqiptarë, të cilët janë urë e fuqishme në ndërlidhjen mes dy shteteve tona. Duke i falënderuar Shoqatën Gjermane për Kombet e Bashkuara për bashkëbisedimin dhe vizitën në vendin tonë, kryeministri Kurti i uroi qëndrim të frytshëm dhe produktiv në Kosovë”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Osmanaj shpall të pavlefshme certifikatën e Kuzhinës nga Qendra…