FKEE-ja hap konkurs kombëtar për “ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka lansuar konkursin kombëtar për shkollat fillore të mesme të ulëta me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, një iniciativë që synon t’i frymëzojë nxënësit e rinj në mbarë Kosovën për të menduar në mënyrë kreative dhe të qëndrueshme për të ardhmen e energjisë.
Konkursi është i hapur për nxënësit e klasave VI-IX nga shkollat publike dhe private në gjithë vendin, përfshirë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet. Qëllimi i tij është ta nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e efiçiencës së energjisë (EE) dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE).
Konkursi përfshin tri kategori: ese – “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtërishme”, vepër artistike: “Energjia për të ardhmen – Një shprehje krijuese” dhe instalacion kreativ: “Shpikja ime e qëndrueshme”. Afati për dorëzimin e punimeve është 20 nëntor 2025, ndërsa fituesit do të shpallen në një ngjarje të veçantë. Fituesit e tre vendeve të para në secilën kategori do të shpërblehen me nga një pajisje tablet. Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, e përbërë nga përfaqësues të FKEE-së, artistë, gazetarë dhe ekspertë të fushës së energjisë dhe mjedisit.
FKEE-ja ka theksuar se ky konkurs është pjesë e misionit institucional për ta promovuar kulturën e kursimit të energjisë dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë. Për më shumë informata mbi konkursin, kriteret e pjesëmarrjes dhe mënyrën e aplikimit, ju ftojmë ta vizitoni faqen zyrtare të FKEE-së: www.fkee-rks.net.




