Kurti: Kreditë që marrin gratë janë më dobiprurëse se sa të burrave

25 prill 2023 | 14:04

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se si qeveri kanë marrë veprime që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit.

Kurti ishte pjesëmarrës në “Javën e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit, Gratë dhe Pronësia Intelektuale: Nxitja e Inovacionit dhe Kreativiteti”. Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se detyrohen dhe obligohen t’i përkrahin gratë që insistojnë në biznes e zhvillim të projekteve, ato që janë në fillim të nismave të tyre.

Theks Kurti i ka kushtuar edhe dallimeve gjinore duke përmendur se gratë kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës. Me këtë rast, Kurti ka shtuar se qeveria është duke ndërhyrë kudo që është e mundshme si, përmes edukimit në fëmijërinë e hershme, e ndarjen e bursave vetëm për vajzat studente në ato lëmi që kanë qenë të populluara kryesisht prej djemve studentë.

Njëkohësisht, kryeministri Kurti ka deklaruar se duhet eliminuar diskriminimi dhe pengesat e shumëfishta, të cilat krijohen duke u bazuar në gjini, por edhe në origjinën etnike e shoqërore, moshën apo edhe gjendjen social-ekonomike.

“Qëllimi ynë si qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare. Vetëm me politikën tonë të re, për shtesat për lehona dhe fëmijë, afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare. Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat se sa gratë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi”, ka thënë Kurti.

“Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit, Gratë dhe Pronësia Intelektuale: Nxitja e Inovacionit dhe Kreativiteti” është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reagim i KMDLNj-së: Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim…