Kurti: Lidhja e zonave rurale në internet brezgjerë, një hap përpara në zhvillimin e shtetit

21 mars 2023 | 16:09

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar fshatin Herticë të Komunës së Podujevës.

Kurti ka thënë se në fillim të pranverës, sot po e shënojnë një të arritur të rëndësishme për vendin tonë, lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë.

“Është duke u realizuar një objektiv kyç që ka të bëjë me një nga parimet kryesore të qeverisjes sonë, e që është gjithëpërfshirja. Në rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa”,  ka njoftuar zyra e kryeministrit..

Sipas këtij njoftimi, Kurti ka theksuar se qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie, apo statusi ekonomik.

“Duke investuar në infrastrukturën brezgjerë, ne po i thyejmë barrierat dhe po sigurojmë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në botën digjitale”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ai ka thënë se përtej digjitalizimit në qeveri, po synohet mbështetja e ekonomisë digjitale, si faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike.

Më tutje, ai ka thënë se zhvillimi i qeverisjes dhe ekonomisë digjitale kërkon infrastrukturë e shkathtësi, dhe një ekosistem të gjerë inovacioni dhe se përmes programit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE), me mbështetje të Bankës Botërore, Ministria e Ekonomisë është angazhuar në krijimin e këtyre parakushteve.

Ai ka thënë se falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrijë në 2 000.

Sipas tij, gjithashtu është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë.

“Kjo lidhje e zonave rurale, duke përfshirë edhe ato më të thella, në internet brezgjerë, nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap përpara në rritjen dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit tonë. Është një qasje në shërbime, mundësi për arsim e kujdes shëndetësor më të mirë, dhe prosperitet ekonomik në çdo cep të vendit”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Kosova nga sot është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë.

“Është kampione në regjion dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të internetit brezgjerë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesatarisht një pikë për ndeshje në këtë 2023 dhe humbjet…