Pioli: Rrezikojmë të mos sigurojmë një vend në Ligën e Kampionëve  

21 mars 2023 | 15:56

Mesatarisht një pikë për ndeshje në këtë 2023 dhe humbjet në 4 nga pesë transfertat e fundit janë një tregues i ecurisë së dobët të Milanit që rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Championsin e sezonit të ardhshëm nëse nuk ndryshon diçka. Në këtë aspekt, ndalesa e kombëtareve vjen si me porosi për Stefano Piolin, i cili ka dhënë së fundmi një intervistë për televizionin e klubit.

Si e gjykoni ndeshjen e fundit?
Tepër negativ dhe kur një skuadër e zhvillon ndeshjen në atë mënyrë vështirë që të marrë fitoren. Nuk ishim as të saktë, as të vëmendshëm dhe siç e kam thënë fajet i kam të gjitha unë. Jam i zhgënjyer, sepse kemi punuar shumë më mirë sesa e tregojnë rezultatet e arritura. Jam i shqetësuar dhe duhet të shfrytëzojmë ndalesën për të rritur nivelin.

Sa ndikon fakti që luftoni në dy fronte?
Do të ishte shumë e rëndë nëse skuadra mendon që tani për çerekfinalen me Napolin. E kuptoj që ka shumë rëndësi, por nevojitet kujdes pasi në ndeshjet e fundit e kemi ulur shumë rendimentin. E kur ndodh kjo, rreziku për humbje shumëfishohet. Nuk mund t’ia lejojmë këtë vetes pasi vendosim në rrezik pjesëmarrjen në Championsin e sezonit të ardhshëm.

Ku gabon më së shumti ky Milan?
Në momentet e ndeshjeve, të cilat më pas ndikojnë rezultatin. Së fundmi nuk po tregohemi mjaftueshëm skuadër për të marrë atë që kërkojmë. Mbetet fakt që kemi një ide të qartë loje dhe duhet ta vendosim në praktikë. 2023-shi vijon të jetë i ndërlikuar dhe na u shtua edhe humbja me Udinezen që rëndon akoma situatën.

Çfarë problemi ka Leao?
Që është një lojtar i rëndësishëm nuk ka pikë dyshimi, por Milani nuk ka fituar asnjë ndeshje për meritë të një futbollisti të vetëm. Deri pak kohë më parë i gjithë kolektivi lëvizte në mënyrë të njëtrajtshme dhe unë pres që të kthehet ta bëjë përsëri.

Sipas jush çfarë duhet ndryshuar në mënyrën e punës?
Duhet të jemi më të kujdesshëm në mbrojtje dhe të mos u lehtësojmë punën kundërshtarëve kur na afrohen në zonë. Për ndeshjen e fundit mund të kem bërë unë diçka gabim duke mos arritur të futim në kokën e futbollistëve që të kuptonin se sa rëndësi kishte ndeshja me Udinezen. Të shtunën nuk funksionuan shumë gjëra dhe me sa duket kisha punuar keq unë.

Përse pas Botërorit po keni kaq shumë probleme?
Në 2023-shin statistikat tona nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Sidoqoftë, kampionati mbetet ende i gjatë dhe duhet të luajmë me më shumë përqendrim e me një cilësi loje më të lartë pasi së fundmi jemi paraqitur vërtetë shumë keq.

I druheni faktit se pas ndalesës Champions-i mund t’ju hutojë përsëri?
Shumë e lehtë të thuash se Liga e Kampionëve na hoqi energjinë, isha i bindur se e kisha përgatitur lojën dhe lojtarët në mënyrën më të mirë të mundshme. Paraqitjet janë të niveleve të ndryshme dhe problem është vëmendja. Nëse nuk e mbajmë ritmin e lartë është problem, kemi përballë kundërshtarë të fortë dhe niveli ynë nuk duhet të bjerë kaq shumë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Rasim Selmanaj Pa dashur me hy në analizë a…