Kurti: Masakra e Reçakut e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë

15 janar 2024 | 10:54

25 vjet më parë, me 15 janar 1999, në fshatin Reçak u krye një prej masakrave më të rënda nga lufta e fundit në Kosovë ku 45 shqiptarë civil të paarmatosur u masakruan nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Sot përfaqësuasit e institucioneve kanë bërë homazhe në Reçak, ku i pranishëm ishte edhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili në atë kohë vizitoi vendin ku u krye masakra dhe prej aty krimet serbe u bënë botërisht të njohura duke hapur edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se masakra e Reçakut e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Ai kujtoi se William Walker vazhdon të jetë i sulmuar dhe i urryer në Serbi ku ende vazhdon një regjim autoritar me president ish-ministrin e informatave të asaj kohe.
Kryeministri Kurti kujtoi edhe 11 ushtarët e UÇK-së që kanë rënë në mbrojtje të trupave të masakruar.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se: “Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, ka thënë kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kosovë më 15 janar, krerët shtetërorë nderuan viktimat e…