Kurti: Me Japoninë jemi partner në pikëpamje dhe vlera

14 shkurt 2024 | 15:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Japonisë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet aktuale në vend, e veçanërisht edhe marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj Japonisë si partner strategjik i rëndësishëm i Kosovës, me të cilin këtë muaj shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ai ka vlerësuar lart ndihmën dhe bashkëpunimin në fusha, që ndërlidhen me shëndetësinë, ambientin, infrastrukturën, rininë e sigurinë. “

“Me Japoninë jemi partner në pikëpamje dhe vlera”, ka thënë kryeministri Kurti.

Duke folur për raportet ekonomike dhe tregtare, kryeministri Kurti ka ftuar kompanitë japoneze që të vizitojnë Kosovën dhe të hulumtojnë mundësitë për investime që ofron Kosova, sidomos në sektorin e energjisë së ripërtërishme dhe infrastrukturës.

Krahas kompanive, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është e interesuar që të mirëpresë sa më shumë turistë nga Japonia për të vizituar Kosovën për bukuritë e saj natyrore dhe pasuritë kulturore.

Në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe temave aktuale, kryeministri Kurti po ashtu e ka njoftuar ambasadorin japonez në lidhje me çështjen rreth Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës mbi operacionet me para të gatshme, qëllimet e kësaj rregulloreje, pavarësinë e institucionit të Bankës Qendrore dhe fazën tranzitore, që në theks kryesor ka informimin dhe komunikimin me publikun.

Ndërsa ambasadori Mizuuchi e ka falënderuar Kurtin për mikpritjen, takimin dhe bashkëpunimin, duke konfirmuar gatishmërinë dhe interesimin për thellimin dhe fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident…