
Kurti në krye të Komitetit Ndërministror për projektin e Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’
Sot qeveria ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se do ta udhëheq vetë ai këtë Komitet “për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces”.
Ndërkaq ka thënë se anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skenderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i OVL të UÇK-së.
“Ndërkohë, një ekip profesionistësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur vlerësimin e gjendjes së kullave në këtë kompleks. Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë. E radhës do të jetë shqyrtimi i detyrimit themelor të këtij komiteti, projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar kryeministri Kurti.