Kurti: Nismat rajonale ngecin për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia

10 qershor 2021 | 15:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nismat rajonale po ngecin për shkak të Serbisë që nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës.

Pas Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt sot në Tiranë, ai ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ndihmonte edhe në bashkëpunimin më të madh mes vendeve të tjera.

“Përveç se në këtë takim në Tiranë m’u desh të shkëputem njëçik meqenëse isha edhe në një konferencë tjetër rajonal në Selanik përmes Zoom, këto ditë janë shtuar nisma të ndryshme që i bëjnë bashkë liderët e Ballkanit për të diskutuar për çështjet e shteteve. Në fjalën time, unë fillova duke konstatuar përderisa 6 shtete e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, BE nuk është ende Evropë sepse nuk është e kompletuar. Ndërkohë populli i Kosovës është shteti më proevropian në Evropë dhe jemi të vendosur për t’i zbatuar reformat tona. Potencova që të gjitha këto nisma ngecin për shkak se mungon njohja e Republikës së Kosovë si shteti i pavarur nga Serbia. Njohja nga Serbia do krijonte situatën në të cilën të gjitha vendet do bashkëpunonin më shumë”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se në tryezën e bisedimeve me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka hedhur idenë për tregun e përbashkët rajonal, që të ndiqet modeli Lihteshtejn-Norvegji-Islandë.

“Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihteshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA”, ka deklaruar Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionati Evropian “Euro 2020” do të fillojë nesër. Edhe pse…