Kurti: Nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm

28 janar 2020 | 21:08

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit tre orësh ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët e Quintit, ka fajësuar LDK-në për mosarritje të marrëveshjes.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk po hiqet nga kërkesa e 8 janarit, ku kërkon postin e kryeparlamentarit.

Kurti ka thënë se takimi ishte i gjatë, meqenëse sipas tij, gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e Quintit dhe shefen e BE-së në Kosovë.

“Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje”, ka deklaruar Kurti.

“Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm”, ka thënë Kurti.

Lideri i LV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, u takuan të martën në praninë e përfaqësuesve të vendeve të Quintit dhe përfaqësueses së BE-së në Kosovë, takim ky që zgjati tri orë.

Në këtë takim morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në deklaratën për media…