Kurti para se ta pranojë asociacionin duhet ta kthejë mandatin te qytetarët

01 dhjetor 2022 | 16:20

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Billall Sherifi, ka kritikuar qeverinë Kurti për gjendjen e përgjithshme në Kosovë.

Ai ka thënë se puna e kësaj qeverie fillon dhe mbaron me konfliktet që ka hapur me mësimdhënësit, gjykatësit, prokurorët, mjekët dhe pothuajse me të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Sherifi ka kritikuar qeverinë edhe në raport me veriun dhe dialogun me Serbinë.

Duke iu referuar raportimeve për planin franko-gjerman, Sherifi ka thënë se Kurti para se ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet ta kthejë mandatin tek qytetarët.

“Epoka e re”: Z. Sherifi si vlerësoni zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit?
Sherifi: Nuk do të thosha diçka të veçantë nëse vë theksin në faktin se zhvillimet e gjithanshme në rrafshin politik, ekonomik apo në atë të sigurisë nuk janë në nivelin që të gjithë do të dëshironim të ishin. Pa dyshim që zhvillimet e muajve të fundit në veri të vendit kanë impakt në të tashmen dhe në të ardhmen e Kosovës. Kosova ka nevojë për qetësi në mënyrë që të bëhet atraktive për investime të brendshme dhe të jashtme! Askush nuk investon në një shtet ku kryeministri i atij vendi përsëritë vazhdimisht mundësinë e fillimit të një lufte të re. Nëse shohim vetëm nga këndvështrimi i logjikës ekonomike, investitorëve të paktë që ka bota u ofrohen mundësi të shumta nga vendet e shumta që kanë  nevojë jetike për investime. Pra, rrjedhimisht, ata do të investojnë gjetiu, në vendet që ofrojnë siguri dhe ku kapitali i tyre nuk rrezikohet të përfshihet nga flaka e luftës.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për punën e qeverisë dhe kryeministrit Kurti?
Sherifi: Nuk e di se për cilat punë të flas! Të marrë shembull bllokimin e qindra miliona eurove që nuk i lëshon në qarkullim qeveria aktuale dhe dëmton shumë rëndë ekonominë e vendit dhe gjendjen e përgjithshme të mirëqenies shoqërore, apo të tërheq vëmendjen në logjikën konfliktuale të qeverisë Kurti. Puna e kësaj qeverie fillon dhe mbaron me konfliktet që ka hapur me mësimdhënësit, gjykatësit, prokurorët, mjekët dhe pothuajse me të gjitha kategoritë e shoqërisë.

 “Epoka e re”: Si e keni parë tërheqjen e Kurtit nga vendimi për shqiptimin e gjobave për qytetarët serbë që në automjetet e tyre përdorin targa ilegale dhe deklaratat e tij pas tërheqjes nga ky vendim?
Sherifi: Ashtu siç është realisht: Tërheqje para pasojave të mëdha që do të kishte për qeverinë e tij, se sa për vendin nuk do t’i ishte bërë vonë. Ky konstatim mund t’ju duket i ashpër, por jam i bindur se një udhëheqës që për teket e veta dhe ambiciet për sundim absolutist hyn në konflikt me të gjitha kategoritë shoqërore, nuk e ka gajle për të ardhmen e vendit. Madje, një gjë të tillë edhe vet z. Kurti e konfirmoi në intervistës për FAZ dhënë gazetarit Martens.

“Epoka e re”: Z. Sherifi tash e sa kohë është duke qarkulluar në opinion i ashtuquajturi plani franko-gjerman për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Cili është qëndrimi i Nismës për këtë plan?
Sherifi: Nuk e kemi parë planin aq të përfolur që e mban në sirtarët e vet z. Kurti, prandaj Nisma Socialdemokrate nuk ka dashur të merr qëndrim rreth një çështjeje që lexojmë në media. Ndërsa sa më përket mua mund të them se, nëse janë të sakta informatat se plani franko-gjerman nuk parasheh njohjen formale reciproke të dy shteteve, ndërkaq parashihet krijimi në aspektin formalo-juridik i asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë del qartë se nga kjo mënyrë e bisedimeve Kosova del humbëse. Prandaj, asociacioni sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese duhet të ndërlidhet me njohjen reciproke, sepse nëse Serbia merr asociacionin pa e njohur Kosovën ajo kurrë më nuk do të ulet në tavolinë të bisedimeve me Kosovën. E vetmja gjë që e ka mbajtur Serbinë në tavolinë të bisedimeve deri më sot ka qenë asociacioni!

“Epoka e re”: A besoni se Kurti do të jetë në gjendje ta refuzojë Asociacionin e komunave serbe, të cilin bashkërisht e keni kundërshtuar?
Sherifi: Nuk e di nëse do të jetë në gjendje të refuzojë një gjë të tillë dhe për këtë çështje nuk dëshiroj të hyj në rrafshin e spekulimeve! Atë që mundem ta them në këtë kontekst lidhet me faktin se përgjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti kundërshtonte themelimin e asociacionit dhe kërcënonte se do të përdorë të gjitha mjetet për ta pamundësuar realizimin e tij. Ai duhet të jetë konsekuent me atë për të cilën ia kanë dhënë mandatin qytetarët e Kosovës dhe nuk ka asnjë të drejtë, as morale e as politike të veprojë në kundërshtim me qëndrimet për të cilat i besuan qytetarët e vendit.  Para se të pranojë realizimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Albin Kurti dhe LV-ja duhet të kthejnë mandatin të qytetarët e Kosovës dhe në zgjedhje të parakohshme, të kërkojnë mandat për realizimin e “Zajednicës”.

“Epoka e re”: Në kontekst të këtyre zhvillimeve, çfarë vlerësimi keni për opozitën brenda dhe jashtë Kuvendit?
Sherifi: Fatkeqësisht nuk është në nivelin që do të donim të ishte. Nuk duhet të harrojmë se për çështje të ndryshme deputetët kanë instrumente të shumta për të kërkuar llogari nga qeveria, qoftë nëpërmjet komisioneve parlamentare, interpelancave, seancave të jashtëzakonshme etj. Do të doja të shihja kuvendin shumë më aktiv. Për shembull, në seancën e djeshme kam parë një opozitë shumë aktive. Mirë do të ishte të vazhdojnë me këtë ritëm!

“Epoka e re”: Z. Sherifi ku është Nisma Socialdemokrate sot?  Kohëve të fundit, sidomos në media është raportuar për një bashkim të Nismës me PDK-në. Cila është e vërteta rreth këtyre raportimeve?
Sherifi: Nisma Socialdemokrate është duke punuar me ristrukturimin e strukturave të saj, si në degë dhe nëndegë. Në planin politik bëjmë aq sa mundemi përmes paraqitjeve televizive, sidomos të kryetarit Limaj. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera, Nisma është e gatshme të bashkërenditë veprimtaritë me të gjitha partitë opozitare, pra edhe me PDK-në.

“Epoka e re”: Z. Sherifi si jeni duke e parë punën e Gjykatës Speciale dhe rolin e institucioneve karshi kësaj gjykate?
Sherifi: Mendoj që kompetent për të vlerësuar punën e saj janë avokatët e drejtuesve të UÇK-së. Te gjithë kemi parë që ata kanë vërejtjet e tyre, prandaj, nuk do të shtoja më shumë se sa që deklarojnë ata.

“Epoka e re”: Vlerësoni se procesi ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë është duke u stërzgjatur?
Sherifi: Ashtu siç thash më lartë, mbrojtja e drejtueseve të UÇK-së ka bërë publike vërejtjet për stërzgjaten e procesit dhe unë besoj në vlerësimin e tyre.

Shteti përgjegjës për vrasjen në QKUK

“Epoka e re”: Mbrëmë ka ndodhur  vrasja e një gruaje shtatzënë nga ish-bashkëshorti! A ka përgjegjësi shteti në këtë rast?
Sherifi: Kur ndodhë një vrasje e tillë në afekt, pa një histori paraprake të konflikteve mes një çifti, mund të themi që është çështje kulture shoqërore dhe në raste të tilla shteti nuk është fajtori i vetëm, por kur një vrasje e tillë ka një histori paraprake, sidomos kur viktima ka kërkuar ndihmë nga shteti, atëherë pa asnjë dyshim përgjegjësia bie kryekëput mbi organet kompetente të cilët e kanë obligim ligjor për t’i ofruar mbrojtje viktimës! Zakonisht mbi 90 për qind  të rasteve të vrasjeve të tilla bien në kategorinë e vrasjeve të paralajmëruara! Prandaj, në këto raste pushteti dhe shteti janë përgjegjësit e vetëm për shkak të mosofrimit të mbrojtjes adekuate!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra ka ngrirë 7.9 miliardë dollarë të aseteve ruse, në…