Kurti: Presidenti Thaçi do të duhej të bëhej fer të jep dorëheqje dhe të hyjë në politikë

31 mars 2020 | 21:17

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka.

“Raporti me Zyrën e Presidentit është i vështirë sepse presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka, ai do të duhej të bëhej fer dhe të hyjë në politikë. Presidenti ka rol ceremonial, e ka rolin e një noteri shtetëror. Dhe në këtë kuptim, zelli i presidentit për politikë ditore, gjen vend në parti politike, e jo në kolltukun presidencial. S’duhet të kesh tendenca për të drejtuar a formuar vullnete politike. Nuk i takon atij të na tregojë se çfarë qeverie na nevojitet neve. Ai dëshiron të jetë më shumë se president që e parasheh Kushtetuta. Ose ta ndryshojmë Kushtetutën, gjë që s’bëhet, ose të hyjë në politikën ditore e të bëjmë garë”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, as raportet me bashkësinë ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar, duke thënë se takimet e rregullta me ambasadorët e jashtëm vazhdojnë dhe temë kryesore është luftimi i shpërndarjes së koronavirusit, por edhe çështje tjera.

Albin Kurti tha se me miratimin e Pakos emergjente fiskale po synohet të parandalohet rënia e madhe ekonomike e Kosovës.

“Pakoja emergjente fiskale, shpresojmë që do ta parandalojë rënien e madhe ekonomike të vendit, por besoj që puna që ka bërë ministri Besnik Bislimi, është më e mira, jo vetëm në rajon. Sa i përket pakos, ka një ngjyrë të fuqishme sociale që thotë se ne kujdesemi për të gjitha shtresat e popullsisë. Nuk i lëmë anash as punëtorët e as ndërmarrësit, dhe ky balancim mendoj se është bërë më mirë se kudo tjetër. Me këto masa, besoj që jemi para të tjerëve. Për pakon fiskale nevojitej më shumë analizë, e bëmë më vonë se të tjerët, por ka dalë më mirë. Në momentin që IKSHPK na solli raportin se duhet t’i mbyllim shkollat, ne të njëjtën ditë kemi vepruar dhe s’kemi bërë gabimin e shteteve tjera. Për shëndetësi i kemi marr vendimet menjëherë, ndërsa për ekonominë kemi pritur ca, por të dyja kanë dalë shumë mirë”, u shpreh kreu në detyrë i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë, ai tha se është i vetëdijshëm se nuk do të kënaqen të gjitha palët me këtë pako.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një postimi në llogarinë…