Kurti: Pushteti dëshiron t’i frikësojë të rinjt

11 maj 2018 | 22:20

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka thënë se pushteti po i mbanë në paraburgim aktivistët për të pamundësuar aktivizimin e tyre në parg të zgjedhjeve studentore. Sipas Kurtit, nuk ka burg e paraburgim, persekutim e izolim, që e ndal aktivizmin studentor.

“Dje na lajmëruan se gjashtë aktivistë të Lëvizjes, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqi, Endrit e Januz Shatri, Kreshnik Gega e Korab Muhadri, të cilët u mbajtën për gati një muaj në paraburgim ua kanë vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë. Prej këtyre gjashtëve, pesë janë studentë shumë aktivë të organizatës studentore SKV (Studim – Kritikë – Veprim). Arrestimi i pakuptimtë i tyre, e sidomos mbajtja kaq e gjatë në paraburgim, e ka pamundësuar aktivizmin e këtyre studentëve mu në prag të zgjedhjeve studentore në Universitetin e Prishtinës që do të mbahen në datën 15 maj”, ka shkruar Kurti në profilin e vet në “Facebook”. Sipas tij, përpjekjet e pushtetit për të dëmtuar aktivizmin studentor dhe punën e SKV-së, përkojnë me qasjen e tyre të përgjithshme. “Ata duan t’i frikësojnë të rinjtë dhe t’i largojnë ata nga politika. Mirëpo Universiteti i Prishtinës dhe studentët e profesorët e angazhuar politikisht, gjithnjë i kanë prirë ndryshimeve progresiste në historinë e Kosovës, dhe kështu do të jetë sërish. Nuk ka burg e paraburgim, persekutim e izolim, që e ndal aktivizmin studentor”, ka shkruar në fund Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës (PK), me anë të një njoftimi për…