
Kurti: Qeveria ndan mbi 3.5 milionë euro për ‘Trepçën’
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar të mërkurën në ndërmarrjen publike “Trepça”, ku ka bërë me dije sa ka ndarë 3.5 milionë euro për këtë ndërmarrje.
“Qëllimi i këtij takimi, ishte që t’i njoftojmë se qeveria në detyrë, tashmë ka ndarë një subvencion mbi 3.5 milionë euro që Trepça t’i paguajë edhe obligimet por edhe pagat e punëtorëve të saj”.
“Në anën tjetër, po i bëjmë përgatitjet në mënyrë që terminali doganor, i cili ka qenë këtu në ‘Trepçë’ nga viti 2002 deri në vitin 2013, të kthehet dhe kështu të sigurojë të hyrat për ‘Trepçën’. Padrejtësisht ‘Trepçës’ i është marrë Terminali Doganor në vitin 2013 dhe ne duam që kjo të korrigjohet”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se dëshiron që “Trepça” të përparojë, pasi sipas tij, prodhimi aty ka një rritje të lehtë.
“Duam t’ia kthejmë ‘Trepçës’, si krenari kombëtare, shkëlqimin ekonomik dhe zhvillimor. Duam që të mos varet nga qeveria, por e gjithë Kosova të varet nga ‘Trepça’, e cila do të përparojë duke e rritur edhe prodhimin edhe produktivitetin”, ka thënë Kurti.