Kurti: Qytetet tani duhet të dizenjohen në përputhje me nevojat e njerëzve

25 qershor 2021 | 13:05

Organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në partneritet me UN-Habitat Kosova, sot u mbajt simpoziumi për të ardhmen e planifikimit territorial në Kosovë.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti ka thënë se qytetet që tani njerëzit duan, janë qytete aktive, të gjelbra dhe me ajër të pastër, gjithëpërfshirëse, të qasshme e me transport të integruar, me sistem publik shëndetësor e banim të përballueshëm, solidare e me mundësi të barabarta për secilin.

Kurti ka thënë se ky simpozium është shumë i rëndësishëm për t’u hapur rrugë: zhvillimit të një diskursi më të thellë e akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij; angazhimin dhe ndërveprimin e profesionisteve të fushave të ndryshme, të shoqërisë civile, e të qytetarëve në një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit, dhe; për t’iu bashkuar lëvizjeve për mbrojtjen e planetit tonë kundrejt sfidave globale që e rrethojnë.

“Kriza pandemike dhe ajo klimatike kanë bërë që politikbërësit dhe urbanistët të rimendojnë konceptin e planifikimit urban. Qytetet tani duhet të dizenjohen në përputhje me nevojat e njerëzve, pra të planifikohen për njerëz e jo për vetura dhe ndërtesa. Njerëzit tanë dëshirojnë të kenë afër të gjitha shërbimet që u nevojiten – shkollat dhe çerdhet për fëmijë, punën, hapësirat rekreative, qendrat tregtare e të tjera të cilat mund të arrihen në këmbë, me biçikletë apo me mjete të tjera motorike ekologjike”, ka deklaruar Kurti.

Forcimi i kapaciteteve institucionale në nivele të ndryshme për të arritur një sistem të planifikimit hapësinor të përshtatshëm për qëllimet e Kosovës, gjetja e zgjidhjeve inovative që mund të rrisin lidhjet rurale-urbane për planifikim më të ekuilibruar të territorit në nivelin kombëtar, janë disa nga temat që u trajtuan në simpozium.

Për këto dhe tema të tjera që lidhen me të ardhmen e planifikimit të territorit në Kosovë folën ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, shefi i UN-Habitat në Kosovë, Omar Siddique, si dhe shume ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gresa Caka-Nimani ka pranuar detyrën e kryetares Gjykatës Kushtetuese nga…