Kurti: Rënia e dëshmorëve në Uçë ngriti rezistencën për hapjen e shkollave shqipe në vitet e 90-ta

31 janar 2023 | 21:32

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, me rastin e 31-vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të shkollës shqipe në Uçë, Bajram Hoxhaj, Muharrem Hysenaj e Hasan Hysenaj, ka kujtuar kontributin e këtyre tre burrave për shkollimin e sigurt të fëmijëve të këtij fshati.

Kurti, me anë të një postimi në “Facebook”, kujtoi kur policia serbe kishte vrarë këta tre burra derisa ata po i dilnin në mbrojtje fëmijëve që serbët ia kishin prerë rrugën e i kishin rrahur derisa ata po shkonin në shkollë.

“Në mëngjesin e 31 janarit të vitit 1992, teksa një grup nxënësish filloristë po shkonin në shtëpi-shkolla për të vijuar mësimet, gjatë rrugës kryesore të fshatit Uçë në Istog, ndalohen nga policia serbe. Ndaj nxënësve u ushtrua dhunë psikike përmes kërcënimeve e sharjeve. Pastaj policët serbë maltretojnë nxënësit edhe fizikisht. Me t’i dëgjuar britmat e nxënësve, në mbrojtje të tyre dalin banorët e shtëpive në afërsi. Pas rezistencës së tyre karshi policisë dhe kërkesës së tyre për t’i lënë nxënësit e lirë për të shkuar në shkollë, qëllohen për vdekje: Bajram Hoxhaj vdes në vend, Muharrem Hysenaj vdes rrugës për në spital e Hasan Hysenaj vdes pas disa ditësh. Të plagosur mbeten: Imer dhe Azllan Hysenaj. Gjatë ditëve në vijim, policia serbe burgosi e torturoi disa nga familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai tha se rënia e tre dëshmorëve në Uçë ngriti rezistencën për hapjen e shkollave shqipe, të mbyllura nga pushteti shovinist i Serbisë anembanë Kosovës.

“Varrimi i tyre qe zgjim kombëtar. U nderuan me një ceremoni ku nxënësit recituan poezi në shqip, u mbajtën fjalime e u ngrit flamuri kombëtar mbi minaren e xhamisë së fshatit Uçë”, shtoi Kurti.

Që nga ajo ditë, sipas Kurtit, shkolla e mesme e ulët e fshatit Uçë mban emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”, duke e kujtuar ndër breza aktin heroik të Bajram Hoxhaj, Hasan Hysenaj e Muharrem Hysenaj.

Sot u bë përurimi i objektit të shkollës së re në fshatin Uçë, që  mban emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjithçka është vendosur për Keylor Navas, me kostarikanin që do…