Kurti: Shtetet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin së bashku drejt BE-së

02 shtator 2021 | 08:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti beson se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrugëtojnë së bashku drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një paneli për zgjerimin e BE-së, në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, Kurti tha se lidhur me këtë do të ndihmonte modifikimi i Marrëveshjes së CEFTA-s (Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore).

“Para disa javësh kam propozuar në samitin e Tiranës që në vend të marrëveshjes CEFTA të bëhet marrëveshja SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), e modeluar sipas EFTA-EEA, ku të gjashtë shtetet e Ballkanit do të lëviznin së bashku drejt BE-së. Besoj se kjo është rruga më e sigurt përpara”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se në mënyrë që Ballkani Perëndimor të ketë përparim duhen katër elemente: “sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundër autokratëve, ballafaqimi me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës që janë në pushtet dhe e fundit një lloj simetrie apo reciprociteti për të drejtat e minoriteteve në të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit kundër nacionalistëve hegjemonistë”.

Gjatë këtij paneli, Kurti po ashtu ka pohuar se nuk mendon që vlerat e BE-së janë raca dhe feja, ashtu siç tha se ishte thënë në një panel tjetër në Forumin e Bledit.

“Vlerat e BE-së janë demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat civile, tregtia e lirë, drejtësia sociale. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm, duke luftuar talibanët të mos bëhemi si ta”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spitali i Gjakovës, pavarësisht numrit të madh të të hospitalizuarve…