Kurti: Si e sabotoi presidenti vetveten

08 maj 2019 | 10:49

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sot janë bërë katër muaj nga letra të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia dërgoi presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim.

“Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme”, ka shkruar Kurti.

“Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt”, ka theksuar Kurti.     

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Si e sabotoi Presidenti vetveten

Katër muaj u bënë sot nga letra të cilën Presidenti i Kosovës ia dërgoi Presidentit të ShBA-ve, z. Donald Trump. Paragrafi 3 ishte interesant aty, andaj le ta përkujtojmë: “Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”.

Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme.

Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt.      

Megjithkëtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Washington D.C.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj në takim pune me shefat e misioneve…