Kurti takohet me ambasadoren e Finlandës, flasin për formimin e Qeverisë dhe dialogun

10 tetor 2019 | 14:29

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall dhe këshilltaren e kësaj ambasade, Trinka Jusufi.

Fillimisht ambasadorja Stjernvall e ka uruar kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe e ka vlerësuar me notë pozitive procesin e rregullt zgjedhor, i cili është monitoruar edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë.

Më tutje është diskutuar nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor.

Në këtë takim, Kurti e Stjernvall janë pajtuar se përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryetari Kurti ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe, jo presidentët e shteteve mbi harta.

Në fund ambasadorja Stjernvall ia ka dhuruar kryetarit Kurti dy libra mbi inovacionet shoqërore të Finlandës, si dhuratë për rezultatin zgjedhor dhe si ndihmë për zgjidhjen inovative të problemeve më të cilat përballet vendi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Industria bankare në Kosovë brenda një kohe shumë të shkurtër…