Kurti takohet me ambasadorin britanik: Çdo lëvizje për ndryshim të kufijve, e rrezikshme

13 shtator 2018 | 10:31

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me deputeten, Fitore Pacolli, dhe koordinatoren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, vizituan Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar ku u pritën nga ambasadori Ruairi O’Connell dhe Sekretari i dytë politik Sam Paice.

Në takim u diskutua për situatën politike me fokus të veçantë rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe deklarimet e fundit rreth “korrigjimit të kufijve” dhe “kompromisit të dhimbshëm”. 

“Kurti shprehu qëndrimin e Lëvizjes kundër lojërave të dëmshme të presidentit Thaçi i cili po i mashtron edhe qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit përveçse ata të Kosovës, dhe po e relativizon shtetësinë e sovranitetin, integritetin territorial e institucional të Republikës sonë. Kryetari Kurti theksoi se ky president nuk ka mandat për çfarë po flet e bën. Dhe, ai nuk ka as parime dhe platformë”, është bërë me dije në njoftimin e LV-së.

“Rruga e duhur përpara nuk është shkëmbimi territorial por reciprociteti i të drejtave”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën e saj.

Ambasadori O’Connell ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur dhe ka qëndrim të qartë rreth pavarësisë e sovranitetit të Kosovës dhe se çdo lëvizje për ndryshim të kufijve është e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.

Ai u shpreh kundër logjikës “ndarje ose konflikt”.  

Në këtë takim u diskutua edhe për nevojën për luftim të krimit të lartë e korrupsionit të organizuar si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Doktori Fahredin Veselaj, është larguar përkohësisht nga puna, pasi i…