Kurti takohet me homologun kroat, diskutojnë për nevojën e forcimit të aleancave
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me homologun kroat, Andrej Plenkoviq, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Në komunikatën për medie të qeverisë është theksuar se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të ndërtuara mbi partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm.
“Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”, ka njoftuar qeveria.
Është bërë me dije se bashkëbisedimi është përqendruar edhe në zhvillimet aktuale në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike.
Në këtë drejtim është theksuar nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë.



