Kurti thotë se janë të përkushtuar për zbatimin e politikave sociale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se puna sociale përbën përpjekje të vazhdueshme për t’i përmbushur nevojat bazike të qytetarëve dhe për ta rritur përgjegjësinë kolektive në funksion të ngritjes se mirëqenies qytetare.
Sipas tij, këto themele të punës sociale materializohen përmes shërbimeve e politikave sociale, që kontribuojnë në eliminimin e rreziqeve, të cilat u kanosen grupeve të cenueshme, pastaj kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë, në mbrojtjen nga diskriminimi e keqtrajtimi, e të tjera.
Kurti në konferencë nacionale me temën: “E tashmja dhe e ardhmja e punës sociale në Kosovë, ka thënë se qeveria, krahas politikave zhvillimore, në programin e saj ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët me programet adekuate të qëndrueshme, pra afatgjate.
Kryeministri ka thënë se nga fillimi i këtij mandati janë ndërmarrë një sërë masash, që sipas tij ndihmojnë drejtpërdrejt grupet e cenueshme të shoqërisë, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve e fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë.
Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se si rezultat i këtyre masave, kanë përfituar rreth 26 mijë familje në asistencë sociale, mbi 300 mijë pensionistë, 12 mijë lehona dhe mbi 140 mijë fëmijë.
Kurti ka thënë se si qeveri mbesim të përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore.
Konferenca me temën: “E tashmja dhe e ardhmja e punës sociale në Kosovë” është mbajtur me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Punës Sociale. Kjo konferencë është organizuar nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale dhe Fakulteti Filozofik – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Konferenca në fjalë është mbështetur nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Terre Des Hommes, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), UNICEF-i dhe Save the Children.



