Kurti thotë se Kosova është në vijë me ShBA-në dhe Britaninë në vlerat politike dhe të biznesit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Londër.
Në fjalën e tij para të pranishmeve ku po marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit, Kurti tha se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.
“Jemi të dedikuar për rendin, ligjin dhe luftën kundër korrupsion në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike po ashtu edhe në ato të biznesit, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë”, ka thënë ai në fjalimin e tij mbi pyetjen se pse duhet të investohet në Kosovë.
Në lidhje me federatën ruse, Kurti mohoi çdo marrëdhënie të mundshme me ta dhe se asnjëherë nuk do të ketë.
“Ne nuk kemi marrëdhënie me federatën ruse, ne kemi vendosur sanksione ndaj saj, ne duam që Ukraina të fitojë luftën, ne duam që Ukraina sa më shpejtë të jetë e mundur të dalë si fituese. Shteteve demokratike evropiane dhe të botës i duhet ta shohin Kremlinin dhe presidentin despotik Vladimir Putinin të mposhtur. Pra ne nuk duam asnjë marrëdhënie me ta, edhe nëse ata duan ne jo”, u shpreh Kurti.



