Kurti thotë se qeveria është në anën e prodhuesve
“Sektori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është i një rëndësie të veçantë për Qeverinë e Kosovës, sepse përveç që prodhon e siguron ushqim, krijon edhe vende pune”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Në fjalën e tij para medieve, kryeministri Kurti teksa listoi të arriturat në këtë fushë dhe ka shprehur mbështetjen për prodhuesit vendorë, ka theksuar se vizioni i qeverisë është për një bujqësi e agroindustri të qëndrueshme, që ofron ushqim të bollshëm dhe të sigurt për qytetarët e vendit.
Pas tetë viteve pa strategji, kryeministri Kurti ka theksuar se qeveria ka hartuar strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2021-2027 dhe është duke e finalizuar strategjinë dhjetëvjeçare për pylltarinë 2021-2030.
“Thirrjet për subvencione vitin e ardhshëm do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe do të përmbyllen deri në mes të prillit. Investimet në këtë sektorë kaq të rëndësishëm kërkojnë vëmendje dhe kohë në planifikim e zbatim. Ministrinë e kemi gjetur me 40 milionë euro obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve, të cilat i kemi adresuar. Me buxhetin e ri të qeverisë së re, vitin 2022 do ta fillojmë me zero obligime financiare karshi fermerëve. Ndërkaq përkrahja e cila për një vit kalendarik e arriti vlerën mbi 50 milionë euro, vitin e ardhshëm do të rritet me 11 milionë euro buxhet shtesë për fermerët e prodhuesit vendorë”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ai ka shtuar se si qeveri kanë aplikuar në garë ndërkombëtare, për afro 20 milionë euro grant në programin për bujqësi globale dhe siguri ushqimore.
“Qeveria është në anën e prodhuesve”, ka deklaruar Kurti.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se zhvillimi dhe implementimi i politikave të favorshme bujqësore janë prioritet i tij, derisa përmendi gjithë punën që është bërë përgjatë tetë muajve qeverisje për të arritur deri këtu ku janë sot.



