Kurti: Tokën nuk e japim

27 shkurt 2018 | 17:36

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kundërshtuar sërish marrëveshjen për demarkacionit me Malin e Zi.

Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se  8 200 hektarët që po diskutohen për këtë marrëveshje kanë qenë çdo herë të Kosovës.

Sipas tij, këtë pjesë pushtetarët e Kosovës po duan ta japin për të garantuar vazhdimin e pushtetit.

Kurti, ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, që sipas tij, po e lejon një sjellje të tillë të politikanëve të Kosovës.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së. 8200 hektarët janë në skajin perëndimor të Kosovës së orientuar kah perëndimi, te BE-ja dhe NATO-ja. 8200 hektarët nuk janë kurrfarë udhëkryqi gjeopolitik lindje-perëndim.

8200 hektarët nuk janë as çiflig e pronë e pushtetarëve të korruptuar që duan ta japin si ryshfet për të garantuar vazhdimin e pushtetit. Ajo tokë ka qenë gjithnjë e Kosovës, e shqiptarëve, dhe kjo është dëshmuar gjerësisht me dokumentacion vendor e ndërkombëtar. Serbë dhe malazezë aty nuk ka pasur kurrë, përveçse me uniformë, por edhe ata janë shporrur.

Kjo tokë synohet të jepet si çmim i paguar për lënien rehat të të korruptuarve e tradhtarëve. Nuk është çmimi i parë që ata paguajnë për të mbetur në pushtet, nuk është as çmimi i fundit. Atyre nuk u dhimbsen këto çmime, sepse paguajnë me nderin, gjakun, pasurinë e popullit, e jo me të tyren. Në fakt, sa më shumë e zvogëlojnë Kosovën, aq më shumë u rritet pasuria e pushteti.

Vendet mike të Kosovës nuk duhet të sillen në mënyrë cinike, duke pranuar ryshfetin e pushtetarëve tanë kriminelë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të drejtën për të udhëtuar lirshëm, pa viza, pa pasur pse të durojnë këtë dhunë e poshtërsi.

Tokën nuk e japim. Ne nuk kemi hesap të vazhdojmë me këta pushtetarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i llogarive bankare e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm…