
Kurti vlerëson lart bashkëpunimin me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT)
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley, të cilin e uroi për emërimin dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë.
Kryeministri vlerësoi lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT) si partner të besueshëm në forcimin e qeverisjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai e falënderoi për mbështetjen afatgjate të dhënë për Kosovën.
Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social.
U ritheksua gatishmëria e qeverisë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të: zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë.
Në fund, kryeministri Kurti shprehu bindjen se udhëheqja e O’Malleyit do ta avancojë partneritetin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026-2030, duke u bazuar në parimet e përbashkëta të gjithëpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.