Ambasada e ShBA-së: Gjithmonë miq të popullit të Kosovës, në qeveri kemi nevojë për një partner që i shmang veprimet destabilizuese
Ambasada amerikane në Kosovë, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të vazhdojnë të jenë “mike e afërt e popullit të Kosovës”.
Në një përgjigje të ambasadës për “Tëvë1”, amerikanët kanë përmendur nevojën për “një partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese” dhe që “është i përkushtuar për ta avancuar stabilitetin rajonal”.
Ambasada ka thënë se e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, “ka takime të rregullta me kryeministrin në detyrë Kurti”.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mike e afërt e popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por kemi nevojë për një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, ka thënë Ambasada amerikane.
Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, ka thënë Ambasada e ShBA-së në Kosovës.



