Kurti: Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme

05 korrik 2020 | 15:17

Në mbledhjen e 40-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se si lëvizje janë rritur në kriza.

“Ajo që në Lëvizje ka qenë konstante është përballja e vazhdueshme me krizat të cilat nuk i janë ndarë vendit tonë që nga themelimi i Vetëvendosjes para 15 viteve. Këto kriza i kemi përjetuar e përballur së bashku me qytetarët të cilët goditen çdoherë më së keqi dhe kërcënohen më së shumti. Prandaj, takimet tona janë më shumë se procedurë e më shumë se përfaqësim sepse janë çdoherë vendimmarrje në kohë krizash”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se 6 tetori i vitit 2019 ishte datë historike, ku qytetarët me votën e tyre të lirë ndryshuan politikën në Kosovë por edhe vendosën fatin e politikanëve.

“Në frymën e rezultateve të zgjedhjeve, duke respektuar votën e qytetarëve, formuam një qeveri të vogël por të mençur dhe efikase, një qeveri të kursimit të parasë publike, të luftimit të korrupsionit dhe të shfrytëzimit racional të buxhetit”, është shprehur Kurti, duke shtuar se: “Kështu mbajtëm premtimin për një qeveri të pastër, me njerëz me integritet e të pakorruptuar, me profesionistë, me gra e burra që synim e motiv kanë shërbimin ndaj qytetarëve e jo pasurimin për vete”.

Ai ka thënë se sot Lëvizja Vetëvendosje është bërë subjekti më i madh politik në Kosovën e pasluftës.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë, madje as që nga përfundimi i luftës, që partia fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë. Po ashtu, nuk ka ndodhur që partia fituese e zgjedhjeve të mos ketë asnjë nga pozitat udhëheqëse të shtetit. Por, në të njëjtën kohë, si asnjëherë më parë në Kosovë, zgjedhjet i fitoi një parti e cila e do më shumë shtetin e popullin sesa pushtetin dhe vetveten”, ka thënë Kurti, duke shtuar se matjet e opinionit publik e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si subjektin e parë në vend.

“Matjet e opinionit publik e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje jo vetëm të parën, por edhe me mbi trefishin e mbështetjes krahasuar me vendin e dytë ku bëjnë gara PDK e LDK, kurse mua me mbi katërfishin e preferencës qytetare për kryeministër të vendit krahasuar me të dytin që më vjen nga pas. Një gjë është tejet interesante në këto sondazhe: mbështetja që kemi te gratë është mbi 55% (krahasuar me burrat 42%), ndërkaq te rinia i afrohemi 2/3 të përkrahjes popullore. Kjo e fundit konfirmon se e kujt është e ardhmja, por e para tregon se çka pritet prej nesh: barazi gjinore, mundësi e drejtësi e pjesëmarrjes për gratë dhe vajzat, në punësim, në pronësi, në pasuri, në udhëheqje”, ka deklaruar Kurti.

Kurti në këtë takim ka folur edhe për peticionin “Duam zgjedhje”. “Me datën 2 qershor e filluam peticionin ‘Duam zgjedhje’ me lista fizike nëpër Qendrat e Lëvizjes. Kemi arritur çerek milioni nënshkrime. Pra, duket që si për demonstrata, ashtu edhe për peticione, Lëvizja Vetëvendosje mund t’ia thyejë rekordin vetëm vetvetes. Ky peticion tashmë është peticioni më i madh i Kosovës së pasluftës, por ai duhet të rritet e do të rritet edhe më shumë sesa çerek milioni nënshkrime. Qendrat të cilat janë treguar më efikase në mbledhjen e nënshkrimeve deri më tani janë: Prishtina, Mitrovica dhe Ferizaj”, ka thënë ai.

Lideri i LV-së ka thënë se ky është një vit i pazakontë, dhe sipas tij, deri tani ka pasur shumë të papritura. “Shoqëria dhe shteti ynë duhet të forcohen që t’i bëjnë ballë çdo sfide. Sot, imuniteti i shtetit është shumë më i dobët sepse legjitimiteti mungon. Trupi pa imunitet nuk e fiton dot betejën kundër virusit dhe dorëzohet kurse qeveria pa legjitimitet është po ashtu e dorëzuar dhe nuk fiton asnjë betejë brenda apo jashtë vendit. Ne duhet të forcojmë të dyja, edhe imunitetin e qytetarëve edhe legjitimitetin e qeverisë me zgjedhje të reja e me qeverisje të mirë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se si subjekt politik kanë zgjedhje të dyfishta. “Kemi zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje në vjeshtë dhe zgjedhjet e domosdoshme të parakohshme për parlamentin e ri dhe qeverinë e re. Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme. Me 6 tetor nuk kishim thjesht një palë zgjedhje të radhës dhe nuk kishim thjesht një qeveri të radhës. Qytetarët votuan për ndryshim. Votuan që partitë e PAN-it të shkojnë në opozitë dhe votuan si kurrë më parë me numër rekord të votave se kush duhet të jetë kryeministër”, ka deklaruar Kurti.

(M.Q / Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lazio me humbjen nga Milani (0-3) ka mbetur plotë shtatë…