Kurti: Zgjedhjet s’janë opsion, zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën se vendi po i afrohet një afati kushtetues, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion dhe se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit.
Ai ka theksuar se kjo situatë kërkon vullnet për zgjidhje dhe kompromis politik, duke shtuar se asnjë parti nuk mund të pretendojë sigurimin e 80 apo më shumë deputetëve dhe se diskutimet duhet të zhvillohen mbi bazën e rezultatit zgjedhor dhe në interes të vendit.
“Kemi një afat kushtetues i cili po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, unë besoj që nuk është opsion. E zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë. Andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga ato pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar”, tha ai.
Kurti ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe parashikueshmëri, duke rikujtuar se qytetarët kanë votuar më 28 dhjetor për një mandat katërvjeçar dhe se Qeveria së shpejti do të sjellë për miratim programin qeverisës 2026-2030.
“Shteti ynë ka nevojë për stabilitet institucional, veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet e tensionet gjeopolitike. Por përtej kësaj, ka nevojë për një stabilitet dhe parashikueshmëri, sepse qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre më 28 dhjetor, pra para vetëm 113 ditësh. Qytetarët votuan për katër vjet dhe në përputhje me vullnetin e tyre së shpejti do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030”, tha ai.
Ai ka shtuar se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në rezultat, por do të vononte proceset dhe do të krijonte kosto shtesë për shtetin.
“Jemi të bindur që një cikël i ri zgjedhor nuk sjell ndryshime të mëdha në rezultat, por mund t’i vonojë punët e mira dhe të na humbasë mundësi e fonde si dhe të krijojë shpenzime të tjera të panevojshme duke filluar nga së paku 10 milionë euro për KQZ-në”, tha ai.
Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se, pas miratimit në Qeveri dhe ratifikimit në Kuvend, Komisioni Evropian ka nisur transferimin e mjeteve si parafinancim për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes.
“Pas miratimit në qeveri dhe ratifikimit në kuvend, Komisioni Evropian nisi transferimin e mjeteve si parafinancim për Republikën e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes”, tha ai.




