Kusari-Lila i thotë opozitës ta dërgojnë në Kushtetuese formimin e komisionit hetimor

19 prill 2022 | 11:41

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se s’është e mundur që të formohet Komisioni hetimor parlamentar i propozuar nga opozita pasi sipas saj nuk është proces i ligjshëm.

Kusari-Lila është shprehur se opozita mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese nëse mendojnë se po u shkelet e drejta kushtetuese.

“Në këtë situatë unë i inkurajoj opozitës të gjejë mekanizma të tjerë të Kuvendit sepse është evidente dhe e bazuar në ligj që s’ka hapësirë politike për t’u vendosur për Komision parlamentar. Nëse mendoni që po ju shkelet një e drejtë kushtetuese unë ju inkurajoj që ta dërgoni në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka thënë se Ligji për hetimin parlamentar nuk lejon të formohet Komisioni hetimor pasi kryesuesi i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që s’janë iniciues të themelimit të Komisionit.

“LV-ja nuk e cenon e as nuk e pengon punën e Kuvendit, po sigurohemi për ligjshmërinë e këtij procesi. Më lejoni edhe njëherë të citoj nenin 10 të Ligjit për hetim parlamentar: ‘kryesuesi i komisionit emërohet nga Kuvendit, kryesuesi zgjidhet nga njëri prej partive që s’është iniciues të themelimit të Komisionit dhe nuk i përket koalicionit qeverisës’. Janë blloku të gjitha grupet parlamentare pasi nënshkruesit janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Dispozitat ligjore s’janë çështje teknike”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Italisë mes Inter dhe…