Kush është Samir Hulileh, biznesmeni palestinez që mund të qeverisë Gazën pas armëpushimit (i mbështetur nga një ish-agjent misterioz)

13 gusht 2025 | 15:41

Davide Frattini – Corriere della Sera

Ai e quan “diplomaci në hije” dhe lejon që errësira të shtrihet edhe mbi figurën e tij, deri në atë pikë sa që të krijojë përshtypjen se është (dhe me siguri ka qenë) një spiun. Sepse paqartësia funksionon me klientët e autokracisë globale, shpesh diktatorë afrikanë, apo edhe me juntën ushtarake në Mianmar të cilët kërkojnë shërbimet e Ari Ben-Menashe, i cili premton kontakte me të fuqishmit e Perëndimit, hapje të dyerve të mbyllura nga sanksionet, nëse jo një ftesë në qarqet elitare, të paktën një takim diskret në një dhomë pranë.

I lindur në Iran nga një familje çifutësh irakianë, me një të kaluar në inteligjencën ushtarake izraelite, Ben-Menashe jeton në Kanada dhe prej aty përpiqet të ushtrojë ndikim mbi qeveritë që ende e dëgjojnë.

Ai vepron si lobist i regjistruar zyrtarisht në SHBA, edhe pse amerikanët mbeten dyshues për shkak të përfshirjes së tij të pjesshme në skandalin Iran-Contra dhe teorive të konspiracionit përreth Jeffrey Epstein, të cilat Ben-Menashe nuk ngurron t’i përmendë publikisht.

Tani, sipas organizatës “Shorim” (Gardianët), ai është promovuesi i një operacioni për të nxjerrë në pah një sipërmarrës palestinez nga balta burokratike e Autoritetit Palestinez dhe për ta promovuar si kandidat për të qeverisur Gazën pas përfundimit të një lufte që duket sikur s’ka fund.

Samir Hulileh përfaqëson figurën teknike që mund të jetë e pranueshme si për qeverinë e Benjamin Netanyahu-t, ashtu edhe për Shtëpinë e Bardhë.

Kush është Samir Hulileh, biznesmeni palestinez që mund të

Samir Hulileh

Si ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë më të madhe palestineze të investimeve, Hulileh ka mbajtur disa role politike, por jo aq të dukshme sa që Netanyahu ta konsiderojë atë si një përfaqësues të Autoritetit Palestinez, të cilin ai e refuzon qartësisht si qeveri të ardhshme të Gazës, së bashku me Presidentin Abu Mazen.

Ben-Menashe ka treguar për “Shorim”, një organizatë që promovon demokracinë përmes gazetarisë investigative, se plani mbështetet nga Liga Arabe dhe parashikon dërgimin e forcave amerikane dhe arabe në territor, sigurimin nga OKB-ja të një statusi të veçantë për Gazën, si dhe krijimin e një aeroporti dhe porti në Sinai, nën administrimin egjiptian.

Hulileh shfaqet më i kujdesshëm. Ai pranon se ka kontraktuar izraelito-kanadezin Ben-Menashe, por thekson se “hapi i parë thelbësor është arritja e një armëpushimi”.

Ai e sheh veten më shumë si menaxher i projekteve të rindërtimit, sesa si një guvernator: “Do të nevojiten të paktën 53 miliardë dollarë”. Si një biznesmen që nuk ka veshur kurrë uniformë ushtarake, ai e di që sfida më e madhe është rikthimi i rendit në territorin prej 363 km² të Gazës.

Hulileh përjashton praninë ushtarake të Autoritetit Palestinez dhe kërkon çarmatosjen e Hamasit, duke kënaqur kështu Netanyah-un, por pa dhënë një përgjigje të qartë se kush do të garantojë sigurinë e një popullsie të rraskapitur dhe të shtypur nga grupet e armatosura lokale.

Analisti Gabriel Mitchell ngre pyetjen se përse historia për kandidaturën e Hulileh-ut ka dalë pikërisht tani. “Është e qartë se ka nisma të shumta, madje edhe private, për të ndikuar në të ardhmen e Gazës. Grupe që e konsiderojnë veten si konkurrentë.”

Miliardat për rindërtim janë një nxitje e fortë për të vepruar dhe për të zënë një pozicion. Në projekt, Ben-Menashe përmend edhe shfrytëzimin e fushave të gazit natyror në brigjet e Gazës, të zbuluara në vitin 2000, por të paprekura për shkak të luftërave të vazhdueshme dhe ndarjeve ndërmjet Hamasit dhe Autoritetit të Ramallahut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biznesmeni i njohur llapjan dhe aktivisti për çështje kombëtare, Nexhmi…