Kushneri iku, por beteja për Shtabin e Përgjithshëm në Serbi vazhdon
Pas njoftimit të kompanisë së Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump – se tërhiqet nga ndërtimi i një kompleksi luksoz në qendër të Beogradit, rasti i ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Serbi nuk është mbyllur.
Tërheqja e kompanisë së Kushnerit, “Affinity Partners”, nuk e ka përjashtuar mundësinë e planeve të reja për ndërtim në vendin ku dikur ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë.
Me një ligj të veçantë, autoritetet serbe u kanë hequr statusin e trashëgimisë kulturore godinave të dëmtuara gjatë bombardimeve të NATO-s, më 1999, duke i hapur rrugë shembjes së kompleksit.
Informacione zyrtare për planet e mëtejshme nuk ka, por në publik përmenden investitorë të mundshëm të rinj, përfshirë edhe kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Eagle Hills”, e cila është partnere e Serbisë në projektin “Beogradi në ujë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në reagimin e tij të parë, i ka akuzuar të gjithë ata që kanë qenë kundër projektit, duke thënë se kanë shkatërruar një investim të vlefshëm.
Demonstruesit dhe aktivistët antiqeveritarë, të cilët nuk e mbështesin ndërtimin, kanë thënë – edhe pas tërheqjes së kompanisë së Kushnerit – se do ta vazhdojnë “luftën” e tyre.
Projektit i janë kundërpërgjigjur edhe ekspertët, të cilët insistojnë se duhet të bëhet rindërtimi dhe jo shembja e kompleksit të dikurshëm të Shtabit të Përgjithshëm.
Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi, gjithashtu, ka njoftuar se do të vazhdojë me rastin, pasi ka ngritur një aktakuzë kundër ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për falsifikim dokumentesh – gjë që ka çuar në humbjen e statusit të trashëgimisë kulturore për Shtabin e Përgjithshëm.
Që nga maji i vitit 2024, kur është nënshkruar kontrata me kompaninë e Kushnerit, autoritetet janë përballur me probleme gjatë përpjekjeve për realizimin e projektit.
Çfarë do të ndodhë tani?
Përfaqësuesit e pushtetit, të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, nuk kanë folur konkretisht për hapat e ardhshëm.
Deri më tani, prej tyre janë dëgjuar vetëm kritika.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur kundërshtarët e projektit “idiotë”, duke thënë se, për shkak të tyre, ka dështuar një investim prej 750 milionë eurosh.
Ai ka paralajmëruar se do ta heqë reklamën e Ushtrisë së Serbisë, e cila mbulon fasadën e njërës prej dy ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm tash e sa vite.
“Tani do të zbulohet, që njerëzit të shohin se sa e tmerrshme duket”, ka thënë Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 16 dhjetor, duke shtuar se është “vetëm çështje kohe, para se tulla dhe gurë të fillojnë të bien”.
Disa ditë më vonë, paralajmërimi i Vuçiqit është realizuar, pasi pankarta është hequr.
Ai ka paralajmëruar edhe kallëzime penale, të cilat, siç ka thënë, “do t’i paraqesë personalisht” kundër “të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në shkatërrimin e investimit”.
Vuçiq e ka akuzuar për pengim të projektit edhe një pjesë të policisë dhe prokurorisë.
Prokuroria vazhdon hetimet
Lajmi për tërheqjen e kompanisë “Affinity Partners” ka dalë disa orë pasi Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka ngritur aktakuzë kundër disa zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve në rastin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm.
Mes tyre është edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Nikolla Sellakoviq.
Prokuroria po zhvillon hetime që nga maji i këtij viti.
Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ka pranuar falsifikimin e dokumentacionit.
Për pasojë, Ministrisë së Kulturës i është dorëzuar një iniciativë për heqjen e statusit të trashëgimisë kulturore për ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm.
Sellakoviq ka bërë disa herë akuza dhe fyerje ndaj Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Duke komentuar hetimin e Prokurorisë, Vuçiq ka paralajmëruar se “do t’i falë” të gjithë ata që, sipas tij, “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrimet financiare”.
Ai ka deklaruar se në këtë projekt nuk ka pasur korrupsion.
Prokuroria, pas ngritjes së aktakuzës, ka njoftuar se do të vazhdojë punën për të zbuluar nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në vepra penale.
Autoritetet e Serbisë, në përpjekje për të përshpejtuar projektin, i cili është ngadalësuar nga puna e Prokurorisë, kanë përdorur edhe një ligj të veçantë.
Në fillim të nëntorit, Kuvendi i Serbisë ka miratuar ligjin, me të cilin është hequr mbrojtja e trashëgimisë kulturore për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm.
A dihen veprimet e mëtejshme të kompanisë së Kushnerit?
Në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, kompania e Kushnerit, “Affinity Partners”, nuk ka treguar se cilët do të jenë hapat e saj të mëtejshëm.
Po ashtu, nuk dihet se cilat janë të drejtat e kompanisë tani kur projekti ka dështuar, pasi kontrata midis Qeverisë së Serbisë dhe investitorit amerikan nuk është bërë publike deri më sot.
Në përgjigjen për REL-in, kompania e Kushnerit nuk ka përmendur ndonjë procedurë ligjore kundër ministrit, as nuk ka shpjeguar drejtpërdrejt arsyet për të cilat ka hequr dorë nga ndërtimi.
Sipas saj, vendimi është marrë “nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit”, ndërsa vizion i tyre ka qenë “ofrimi i një zgjidhjeje arkitekturore elegante dhe inspiruese, që nxjerr në pah përparimin e Serbisë”.
Partner i ri në projekt?
Zyrtarët e Serbisë, deri më tani, nuk kanë folur konkretisht për një mundësi të tillë.
Ata që janë kundër projektit, nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë një investitor të ri dhe përmendin emra të caktuar.
Shpesh përmendet kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Eagle Hills”.
Bashkëpunimi midis Serbisë dhe investitorit nga Emiratet ka nisur në vitin 2012, me marrjen e pushtetit nga Partia Përparimtare Serbe.
Që nga viti 2015, ata kanë punuar në ndërtimin e kompleksit luksoz “Beogradi në ujë”, për të cilin Kuvendi i Serbisë, gjithashtu, ka miratuar një ligj të veçantë për të përshpejtuar procedurat e ndërtimit përgjatë bregut të lumit Sava.
Edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare nëse kompania nga Emiratet është investitori i ri i mundshëm në kompleksin e dikurshëm të Shtabit të Përgjithshëm, dihet se “Eagle Hills” ka qenë e planifikuar të bashkëpunonte me kompaninë e Kushnerit në projektin në Serbi.
Çfarë planifikojnë kundërshtarët e projektit?
Demonstruesit antiqeveritarë, të cilët kanë zhvilluar shumë protesta që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Kushnerin, tani paralajmërojnë vazhdimin e “luftës” së tyre.
Ata thonë se janë të bindur se autoritetet nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për të ndërtuar në atë vend.
Disa parti opozitare kanë reaguar, duke kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të ligjit të veçantë dhe rikthimin e statusit të ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm si pasuri kulturore.
Disa shoqata ekspertësh kanë paralajmëruar qysh para tërheqjes së partnerit amerikan, se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë një vlerësim të kushtetutshmërisë së ligjit të veçantë.
Ekspertët janë kundër rrënimit dhe insistojnë në restaurimin e godinës moderniste, e cila është ndërtuar midis viteve 1956 dhe 1963.



