Kushtetuesja i tregoi partisë së parë që të ketë bashkëpunim me partitë e tjera

30 maj 2020 | 09:41

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i rëndësishëm sepse skena politike në Kosovë ka qenë e acaruar së tepërmi dhe duhej një vendim për t’i ulur gjakrat dhe për ta qetësuar situatën e për ta qartësuar atë, kështu thotë për arbresh.info analisti politik Rrahman Paçarizi.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime finale. Unë dua të besoj se është një vendim që është marrë nga profesionistët. Ky vendim ka qenë i rëndësishëm sepse skena politike në Kosovë ka qenë e acaruar së tepërmi dhe duhej një vendim për t’i ulur gjakrat, për ta qetësuar situatën dhe për ta qartësuar atë. Sidoqoftë, ajo që është dashur të nxjerrim si mësim nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është se Kushtetua e Kosovës duhej të amendemantohej në mënyrë që të jetë një Kushtetutë e qartë, dhe jo një Kushtetutë e cila ka aq shumë paqartësi saqë pas çdo vendimi të institucioneve  të Kosovës, një palë duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta kontestuar një vendim të caktuar”, tha ai.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës duhet ta ndjekë modelin e kushtetutave të vendeve të ngjashme me Kosovën. “Kushtetua e Kosovës duhet të jetë e qartë duhet ta ndjekë modelin e kushtetutave të vendeve të ngjashme me Kosovën sepse klasa jonë politike ende është një klasë jo mjaft e pjekur politikisht e cila ka nevojë për situata krejtësisht të qarta në mënyrë që të lihen sa më pak mundësi interpretimi”, thotë ai.

Paçarizi thotë se Gjykata Kushtetuese përfundimisht u ka treguar partive politike që nuk mund të vendosin vija të kuqe. “Sipas Kushtetutës së Kosovës, mundësia e parë vazhdon t’i takojë partisë së parë, por nëse partia e parë nuk arrin ta mbajë qeverinë, atëherë kjo bartet edhe te faktorët e tjerë të cilët nuk mund të përjashtohen nga jeta politike. Unë mendoj se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bën që partia e parë, cila do qoftë ajo, të sillet me më shumë përgjegjshmëri në raport me punët që e presin dhe në raport me partneret e tjerë dhe mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përfundimisht u ka treguar partive politike se nuk mund të vendosin vija të kuqe paraprakisht lidhur me bashkëpunimin me partitë e tjera, por duhet të tregohen më të përgjegjshme e më bashkëpunuese dhe të sillen në raport me situatën”, pohoi ai.

Paçarizi thotë se është kundër atyre që i shohin protestat si rrezik për vendin, pasi që qytetarët kanë të drejtën e tyre për të kontestuar, madje edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Protestat janë një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve. LV-ja dhe secila parti ka të drejtë të mbajë protesta. Askush nuk guxon ta mohojë të drejtën e protestave. Secila protestë që nuk e rrezikon sigurinë në vend është protestë e ligjshme. Dhe unë jam kundër atyre që i shohin protestat si rrezik për vendin. Por, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga partitë politike dhe institucionet e Kosovës, e qytetarët e Kosovës e kanë të gjithë të drejtën e tyre për të kontestuar madje edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse është shprehje demokratike e vullnetit të tyre dhe mendimit të tyre të lire”, ka thënë Paçarizi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të pakta janë menaxheret femra në botën e futbollit. Anamaria…