Kushtetuesja mbështet formimin e qeverisë së re, por i jep edhe 15 ditë kohë Kurtit

22 maj 2020 | 09:01

Gjykata Kushtetuese do t’ia rrëzojë dekretin për mandatarin presidentit Hashim Thaçi, por do t’i hapë rrugë planit të tij për ta bërë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik që i ka fituar zgjedhjet.

Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses janë mobilizuar për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë.

Një burim në Kushtetuese i ka thënë “Kohës Ditore” të enjten se dekreti me të cilin kreu i shtetit e ka caktuar për mandatar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike do të shpallet antikushtetues meqë ai është nxjerrë pa përgjigjen definitive të LV-së për kandidatin për kryeministër. Por, Aktgjykimi do të thotë shprehimisht se jodomosdoshmërisht pas mocionit kundër qeverisë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Po kështu, do ta parashohë edhe mundësinë e bërjes së një qeverie, pa partinë fituese të zgjedhjeve.

Sipas këtij burimi, Kushtetuesja do të “caktojë” një afat 15-ditësh brenda të cilit partia që presidenti i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heqë dorë nga kjo e drejtë. “Janë shtatë gjyqtarë që po punojnë për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë. Një është kundër, ndërsa një nga nëntë gjyqtarët aktualisht nuk është i përfshirë në lëndë dhe nuk besoj se do të votojë, shkaku se është me probleme shëndetësore dhe ndodhet në trajtim mjekësor”, ka thënë ky burim.

Pas mocionit kundër qeverisë së drejtuar nga kreu i LV-së, Albin Kurti, presidenti Thaçi është bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, për t’i dhënë zgjidhje situatës. Ndryshe nga dy mocionet e mëhershme, pas të cilëve qytetarët u janë drejtuar kutive të votimit, pas këtij kundër qeverisë Kurti, kreu i shtetit ka thënë se duhet evituar zgjedhjet. Prandaj, konform këtij neni që i referohet situatës së paszgjedhjeve, presidenti i ka kërkuar kreut të LV-së një mandatar të ri për kryeministër.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon të zbatohen masat…