Kuti dhe Abdixhiku ‘përplasën’ për ekonominë në Kuvend

22 shkurt 2022 | 11:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pasur replika dhe kundërreplika me kryeministrin Albin Kurti lidhur me rritjen ekonomike.

Abdixhiku, i cili e ka hapur këtë temë, ka thënë se Kurti i krahason numrat me vitin e pandemisë (2020), kur ekonomia kishte shënuar rënien më të madhe që nga paslufta. Ai kaka thënë se qeveria është duke u marrë më shumë para qytetarëve përmes tatimeve.

“Tani po provohet të jepet një pasqyrë e një zhvillimi ekonomik që është i pashembullt, ndonëse pika bazike krahasuese është viti 2020. Një vitit të mbylljes ekonomike ku e kemi pasur rënien më të madhe ekonomike që pas luftës së vitit 1999”, ka thënë ai.

Ekonomia është rritur gjithandej pas atij viti, ka thënë Abdixhiku, i cili ka përmendur se rënia ekonomike ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve.

“Inflacioni në Kosovë është 7.1 për qind. Është rritja më e madhe historike në 22 vitet e fundit. Dhe në disa produkte bazike brenda një viti, rritja është deri në 40 për qind. Çështja është çfarë bëni ju si qeveri?”, ka thënë Abdixhiku, duke pyetur nëse qeveria ka ndonjë pako fiskale.

“Në qoftë se p.sh. nafta sot është 1.42 cent dhe ju si qeveri vazhdoni t’i merrni 36 cent akcizë dhe mbi të edhe 18 për qind  të tjera TVSh, normalisht që do të konsideroni që të ardhurat e doganës, ATK-së janë më të mira”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka kërkuar nga qeveria të marrë masa për ta bërë më të lirë edhe çmimin e naftës.

Në kundërpërgjigje, kryeministri Kurti ka thënë se qytetarët paguajnë më shumë tatime për shkak të “besueshmërisë së lartë” në qeverinë e udhëhequr prej tij.

“Është e vërtetë që qytetarët paguajnë më shumë tatime. Gatishmëria e qytetarëve për të paguar më shumë tatime, unë besoj që vjen edhe nga fakti se nuk shohin skandale të korrupsionit në qeveri. Pra, besueshmëria e qytetarëve është më e lartë në qeverisje, dhe rrjedhimisht kontributi për shtetin është më i madh”, ka thënë Kurti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Abdixhiku. Ai ka thënë se qeveria aktuale është në trendin e 20 viteve të fundit. Ai ka thënë se nuk është duke u rritur baza prodhuese e vendit dhe se deficiti tregtar vazhdon të mbetet i njëjtë.

“20 vitet e fundit të Kosovës, nuk ka vit që këta numra nuk janë më të lartë se viti paraprak. Edhe buxheti rritet çdo vit për 10 për qind. Pra, jeni në trend të 20 viteve. Dhe kur flisni për rritje të eksportit, duhet t’u tregoni qytetarëve se edhe importi është rritur për 4.6 miliardë, pra nuk po rritet baza jonë prodhuese. Deficiti tregtar vazhdon të jetë i njëjtë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka theksuar sërish kërkesën e tij për një pako nga qeveria për t’i bërë më të përballueshme për qytetarët çmimet e produkteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte në mbrëmje do të luhen dy duelet e radhës…