Kuvendi debaton për situatën në Telekom

23 korrik 2020 | 18:00

Kuvendi i Kosovës, në seancën e së enjtes është duke debatuar për situatën e krijuar në Telekomin e Kosovës, pas bllokimit të xhirollogarive të saj nga një përmbarues privat i kompanisë “Dardafon.net” për shkak të një borxhi që Telekomi ka ndaj kësaj kompanie.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se menaxhmenti i Telekomit të Kosovës përmes një letre drejtuar Kuvendit, ka paraqitur qëndrimet e tyre për situatën e krijuar.

Menaxhmenti, ka kërkuar hetime për aktivitetet brenda kësaj kompanie gjatë viteve të kaluara.

“Të hetohen vendimet strategjike dhe kontratat e mëdha të cilat këtë kompani prej një kontribuesi të buxhetit e sollën para bankrotimit dhe e shëndruan në borgjli”, thuhet në letrën e menaxhmentit të Telekomit të Kosovës drejtuar deputetëve.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje  ka propozuar një projekt rezolutë, në bazë të se cilës, parashihen masat për përmirësimin e situatës.

Në projekt rezolutë, thuhet se “Kontrata Dardafon- Telekom e vitit 2009, ka elemente të mjaftueshme për tu hetuar penalisht”.

“Qeveria të zbatojë vendimin mbi masat për parandalimin e keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike, si dhe të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre. Qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur Telekomin nga kreditorët e pandërgjegjshëm më qëllim të stabilitetit financiar të Telekomit të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet ndër të tjera në projekt-rezolutën e LV-së.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kontrata në mes Dardafon.net dhe Telekomit të Kosovës ka qenë fatale për Telekomin. Sipas saj, fajtorë për situatën e krijuar janë partitë politike, që sipas saj, kanë punësuar militant të tyre në pozita udhëheqëse.

Edhe Doruntina Maloku, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se Telekomi përballet edhe me rrezikimin e rënies se shërbimeve. Për këtë ajo ka kërkuar nga Qeveria që të gjejë zgjidhje për ndërmarrjen, duke e pasur në vëmendje se Telekomi “ka paraqitur një prej veprimtarive më të rëndësishme të ekonomisë kosovare”.

Kurse Ferat Shala, deputeti nga Partia Demokratike të Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës ka mekanizma institucional dhe financiar për të ndihmuar Telekomin e Kosovës.

Por, Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, duke mos paraqitur ndonjë zgjidhje konkrete, tha se është duke punuar me aktorët kompetentë për këtë çështje.

“Me falemintimin e Telekomit, rrezikohet cenimi i sigurisë kombëtare”, tha Kuçi./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Shqipërisë,  ka miratuar marrëveshjen e 5 qershorit e…