Kuvendi i Dytë i Ismail Qemalit në Fier më 12 gusht 1912

24 mars 2023 | 15:23

Pas përfundimit me sukses të plot të Kuvendit të Parë në Fier më 24 mars 1912, Ismail Qemali u nis përsëri për në Vlorë dhe prej andej mori rrugën drejt Europës. Axhenda e këtij kreshniku legjendar të kombit tonë ishte e mbushur plot me udhëtime të vazhdueshme, takime e biseda me diplomat e lider të lart të shteteve të ndryshme perëndimore.

Ai nuk i reshti kurrë përpjekjet e tij diplomatike jashtë mëmëdheut, për dekada të tëra, duke i koordinuar ato me veprimet ushtarake të patriotëve tanë brenda trojeve tona, në shërbim të shpalljes së Pavarësisë. Kuvendi i tij i parë në qytetin e Fierit ishte një thirrje e hapur që i bëri ai të gjithë popullit tonë, për tu ngritur në këmbë, te rrëmbente armët dhe ti dilte zot vatanit.

Ismail Qemali dhe Isa Buletini-Vepër e piktorit Luan Jakupi

Ky tubim shënoi edhe fillimin e stuhisë së kryengritjes tonë të përgjithshme kundër Turqisë, për shkëputjen nga zgjedha e Anadollit dhe çlirimin e trojeve tona prej saj.

Qyteti Bajram Curri

Prel Tulit nga Salca (1852-1918)

Kështu disa ditë më vonë, pas këtij mitingu, më datën 11 prill 1912, në krahinat heroike të Malësisë së Gjakovës dhe të Nikaj e Mërturit, populli patriot tropojan u çua i pari në një kryengritje të armatosur kundër Perandorisë Osmane. Rreth 6-7 mijë malësor trima nën drejtimin e prijëseve të tyre të shquar Prelë Tuli (1852-1918) i Salcës dhe Zeqir Halili (1882-1917) i Margegajt të Krasniqes, të mbështetur edhe nga treva e Hasit, sulmuan fuqishëm ushtrinë turke dhe në afërsi të Gjakovës shpartalluan dy garnizone të saj, duke thyer depot e rrëmbyer qindra armë, municione dhe shuma të konsiderueshme vlerash monetare .

Forcat kryengritëse të këtyre trevave dolën hapur edhe me katër kërkesa të avancuara politike, ku nuk bëhej më fjalë për autonomi, por ata donin sa më parë, largimin e okupatorit turk, çlirimin e trojeve shqiptare, shpalljen e pavarësisë dhe formimin e Shtetit Shqiptar.

Kjo lëvizje e armatosur u përhap me shpejtësi edhe në nahije të tjera si Kukës e Pukë dhe kryesisht në Kosovë, ku shqiptarët rrokën armët dhe filluan luftën e përgjithshme kundër ushtrisë osmane.

Një muaj pas këtyre ngjarjeve tepër të vrullshme në Tropojë, që tundën nga themelet Portën e Lartë dhe xhonturqët e saj, më datën 21 maj 1912 u mblodhë në Dardani edhe Kuvendi i rëndësishëm historik i Junikut.

Kryengritësit shqiptar në këtë miting shpallën edhe programin e tyre me një sërë kërkesash politike dhe konkretisht:

1.

Të kryhej shpallja e autonomisë së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane.

2.

Të ngrihet një administratë e re shqiptare në të gjitha trojet tona.

3.

Gjuha Shqipe të bëhet zyrtare dhe të përdorej në të katër vilajetet e trojeve tona.

4.

Të vendoset flamuri ynë Kuq e Zi, si simboli i vetëm i Kombit Shqiptar.

Si rezultat i kryengritjeve të mëdha që shpërthyen në mbarë trojet shqiptare dhe nga presioni i opozitës turke, qeveria e Said Pashës me datën 17 korrik 1912 u detyrua të jap dorëheqjen e saj.

Pas kësaj ngjarje të papritur, më datën 22 korrik 1912 u formua nga partia e opozitës turke ”Liri dhe Marrëveshje” edhe qeveria e re e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha. Ajo urdhëroi ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve ushtarake në Shqipëri dhe dërgoi një komision qeveritar, për të biseduar me kryengritësit kosovar në Prishtinë.

Më datën 23 korrik 1912, rrëzë malit Shpirag të Beratit të lashtë dhe me histori u mblodh edhe Kuvendi i Sinjës. Në këtë tubim morën pjesë 49 delegat, përfaqësues, drejtues të komiteteve kryengritëse dhe komandant të çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut.

Gjatë kësaj mbledhje kanë qenë prezent edhe liderët e “Komitetit të Fshehtë të Fierit” dhe luftëtarët myzeqar si Hysni Toska dhe Kodhel Toska nga Luari, Dërvish Mino Toro nga Kurjani, Jani Nako e Kosta Prifti nga Marinëza, e të tjerë. Ky kuvend hartoi edhe një program autonomie me dymbëdhjetë pika, i ngjashëm me “Librin e Kuq” ose “Memorandumin e Greçës” të vitit 1911.

Qyteti i Fierit

Me përfundimin e Kuvendin të Sinjës, forcat kryengritëse të komanduara nga drejtuesit e këtij kuvendi dhe prej “Komitetit të Fshehtë të Fierit” zbritën në Myzeqe dhe sulmuan forcat ushtarake të Portës së Lartë.

Llazi Spiro-Komandanti i Cetës Pojan-Shën Pjetër

Ndërsa luftëtarët kryengritës të ardhur nga Shpiragu sulmuan xhandarmërinë turke në lindje të Myzeqesë, komandantët Llazi Spiro e Kozma Dhima me çetat e tyre të Pojan- Shën Pjetrës, Topojë-Seman dhe Kolkondasit në perëndim, arritën ti hedhin në det taborët turke, të cilët u larguan në panik me anijet e tyre të ankoruara në portin e Semanit, duke çliruar kështu tërë bregdetin.

Gjatë luftimesh të ashpra kundër asqerëve osman në të gjithë krahinën e Myzeqesë, më datën 8 gusht 1912 kryengritësit tanë morën nën kontroll edhe qytetin e Fierit dhe disa ditë më vonë çliruan edhe Lushnjen me Kuçovën.

Udhëheqësit e “Komitetit të Fshehtë të Fierit” së bashku me krerët e çetave të armatosura në këto momente formuan edhe “Komitetin e Kryengritjes se Jugut”.

Ky Komitet zgjodhi edhe pleqësinë e tij drejtuese, e cila përbëhej nga Izet Zavalani, Bektash Cakrani, Pandeli Cale dhe Jusuf Zijai, ndërsa komandant i pergjithëshëm i forcave kryengritëse të jugut u caktua Zija bej Mullai dhe zvendëskomandant Islam Vrioni.

Pleqësia e “Komitetit të Jugut” së bashku me Komandën e Forcave Kryengritëse shkuan triumfalisht menjëherë në zyrën telegrafike të qytetit të Fierit dhe prej aty njoftuan të gjitha krahinat shqiptare për çlirimin e Myzeqesë nga Ushtria Osmane.

Ky organ drejtues njoftoi gjithashtu edhe Vezirin e Madh për këtë fitore mbi asqerët e tij dhe për memorandumin e “Kuvendit të Sinjës” prej dymbëdhjetë pikash, të cilin Stambolli duhej ta pranonte pa asnjë vonesë e hezitim.

Veziri turk, i ndodhur ngusht përball kësaj situate u ktheu përgjigje menjëherë forcave kryengritëse se i njihte kërkesat e “Kuvendit të Sinjës” dhe premtoi se do të dërgonte një “Komision të Veçantë “ për zgjidhjen e tyre, duke ju lutur atyre që të prisnin deri në mbërritjen e të dërguarave të Stambollit.

Komiteti i Fshehtë i Fierit së bashku me “ Komitetin e Jugut “ dhe “Komandën e Forcave Kryengritëse” vendosën menjëherë rendin, rregullin dhe qetësinë brenda në qytet dhe në të gjithë krahinën e Myzeqesë, duke kryer kështu detyrat e një qeverie lokale autonome dhe të pavarur prej Anadollit.

Në një situatë të tillë kaq kritike, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, që ishin në Europë vendosën të ktheheshin sa më parë në Atdhe, për të qenë në krye të ngjarjeve të reja, që po evoluonin me shpejtësi në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Stamboll.

Ndërkohë, që pritej të fillonin bisedimet midis qeverisë turke dhe kryengritësve për problemin e autonomisë, rrethet patriotike të Shqipërisë së Veriut, asaj të Mesme, Myzeqesë dhe të Jugut, autorizuan menjëherë Hasan Prishtinën që ti përfaqsonte këto rajone, duke i kërkuar atij të paraqiste në këtë takim programin e tyre me 12 pika.

Bisedimet shqiptaro-turke filluan në Prishtinë më 2 gusht të vitit 1912 midis Hasan Prishtinës dhe marshallit turk Ibrahim Pasha, por ato dështuan shumë shpejt, sepse pala e Stambollit nuk i pranoi kërkesat e një programi të till, që sanksiononin pavarësinë e Shqipërisë jashtë influencës së Perandorisë Osmane.

Pas dështimit të këtij takimi, më 5 gusht 1912, Hasan Prishtina marshoi trimërisht me forcat e tij kryengritëse në Ferizaj dhe i deklaroi Portës së Lartë, se ishte gati të fillonte sulmin luftarak ndaj saj në çdo moment e në të gjitha trojet shqiptare. Sulltani turk i ndodhur nën presionin e gjithanshëm, shpërndau parlamentin osman, për të fituar kohë dhe qetësuar situatën e tij të brendshme mjaft të tensionuar.

Gjatë kësaj kohe Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kishin mbërritur në ishullin e Korfuzit dhe ishin nisur për në Shqipëri.

Më datën 7 gusht 1912, të dy burrat e ndritur të kombi arritën në Vlorë. Me të mbërritur në këtë qytet, që ishte ende nën pushtimin turk, ata bënë një mbledhje të fshehtë me atdhetarët më të njohur të asaj periudhe dhe vendosën me urgjencë thirrjen e “Kuvendit të Dytë “ në Fierin e çliruar, me delegat nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Kështu, nën drejtimin e plakut vlonjat Ismail Qemali, më datën 12 gusht 1912 u mblodhë dhe “Kuvendi i Dytë i Fierit”, i cili i vazhdoi  punimet përsëri në sarajet e patriotit Omer Vrioni.

Në këtë kuvend morën pjesë patriotët dhe luftëtarët më në zë të kohës, nga Shqipëria e Jugut, si Aziz Vrioni, Islam Vrioni, Galip pashë Vrioni, Kahreman bej Vrioni, Jorgji(Babë Dudë) Karbunara, Kostandin Minga, Jani Kostandin Minga, Irakli Pylli, Ymer Hoxha i Radostinës, Thoma Leksi Ristani, Leksi e Spiro Saqellari, Tonçi Kilica, Llazi Spiro Shën Pjetra, Lili Pan Sheqishtja, Kostandin Prifti Marinëza, Tasi Naka, Zoi Ndreko Libofsha, Llazar Bozo, Elmas Boce, Pal Kadillari, Dërvish Kurjani, Hysni Toska, Tuni Gjergji, kolonel Ismail Haki Tatzati, Izet bej Zavalani, Zija bej Mullai, Pandeli Cale, Arshi Shehu, Riza Runa, Mehmet Pavari, Kamber Benja, Baki Gjebreja, Tol Arapi, Ibrahim Avdullahu, Spiro Koleka, Ymer Radhima, Duro Shaska, Hajredin Fratari, Ismail Klosi, Musa e Hajredin Hekali, Faslli Patosi, Xhelal Koprencka e shumë të tjerë.

Gjat këtij kuvendi thuhet se ka patur edhe debate të forta midis disa delegatëve me besim fetar mysliman të ndikuar nga lirat turke dhe hoxhallarēt pro Stambollit, që donin vetëm autonomi dhe atyre myzeqar e të krishterë të lidhur me diasporën tonë të Bukureshtit, Austrisë dhe Ismail Qemalin, që kërkonin me insistim Pavarsinë dhe shkëputjen e plot nga Perandoria Osmane.

Gojëdhënat tregojnë se profesori myzeqar, patrioti i madh Jani Minga ka mbajtur edhe një fjalim tepër të rëndësishëm, duke thënë se autonomia dhe vartësia nën çadrën e Stambollit tashmë ka përfunduar dhe për ne Turqia është e vdekur, njëherë e përgjithmonë.

Po kështu është folur se mësonjësi i Ardenicës at Kozma Dhima, duke dalë në mbrojtje të Ismail Qemalit dhe Jani Mingës ka thënë se:”…ne kurrë nuk do ti lëshojmë armët nga dora pa i shporrur të gjithë okupatorët osman nga trojet tona…”.

Ky tubim veç të tjerash, për ato momente miratoi edhe disa detyra urgjente dhe konkretisht:

1.

Të autorizohej Hasan Prishtina, që të përfaqësonte Shqipërinë e Jugut në bisedimet shqiptaro-turke, që do të zhvilloheshin në Prishtinë.

2.

Ismail Qemali të nisej pa humbur kohë në Stamboll, për të zhvilluar bisedime të vazhdueshme diplomatike me Portën e Lartë.

3.

Të forcoheshin më shumë çetat e armatosura, duke i shtuar radhët e tyre me element nga moshat e reja dhe patriot, që kanë dhënë prova për çështjen tonë kombëtare.

4.

Të rritet më shumë bashkëpunimi midis patriotëve, çetave dhe krahinave ndërmjet tyre, për zgjidhjen e çdo problemi që preokupon njerëzit tanë, duke u qëndruar atyre pran në çdo moment dhe sidomos në zona të çliruara nga regjimi Osman.

5.

Të sigurohen ndihma të vazhdueshme ushqimore e veshmbathje për forcat tona kryengritëse, gjatë kohës kur janë duke zhvilluar luftime me ushtrinë turke.

Më datën 13 gusht 1912 Ismail Qemali, pasi mbylli me sukses punimet e këtij kuvendi u largua në drejtim të Vlorës dhe prej andej shkoi në Trieste të Italisë, për të udhëtuar drejt Bosforit, ku do të vazhdonte përpjekjet e tij diplomatike me qeveritarët e Turqisë.

Me urdhër të Jani Mingës, at Kozma Dhimës dhe Llazar Bozos thuhet se sarajet e Omer Vrionit në Fier, ku zhvilloi punimet Kuvendi i Dytë, ashtu si në muajin mars, i mori përsëri në mbrojtje kapedani ynë myzeqar, këngëtari dhe vjershëtari Llazi Spiro Shën Pjetra me dy çetat e tij, duke e shoqëruar vazhdimisht dhe mbrojtur fizikisht Ismail Qemalin gjatë tërë kohës së qêndrimit të tij në Myzeqe.

Për nga pjesëmarrja e gjerë e shumë figurave patriotike të kohës, rëndësia e jashtëzakonëshme që kishte dhe vendimet historike që u përcaktuan në këtë mbledhje, ky kuvend është quajtur edhe si “Kongresi i Madh i Fierit “, që ngriti e lartësoi më tej themelet e Shtetit të Ri Shqiptar.

Shkollat me famë në Manastiret e Apollonisë, Ardenicës dhe Kolkondasit të mbushura plot me nxënës, mësonjës, intelektual e patriot , formimi i degës së” “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhe i Çetave të Armatosura Myzeqare, vizita e Abdyl bej Frashërit, krijimi i “Komitetit të Fshehtë të Fierit “, hapja e dy shkollave shqipe më 1908, Kuvendi i I-rë i 24 marsit 1912, Kuvendi i II-të i 12 gushtit 1912 , pozita gjeografike e të tjera, tashmë e kishin kthyer qytetin e Fierit dhe të gjithë Myzeqenë, në një qendër të rëndësishme të lëvizjes tonë kombëtare, e cila luajti një rol shumë të madh edhe për shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë.

Ne fierakët dhe të gjithë myzeqarët, duhet të ndjehemi vërtet tepër krenar për të gjitha këto kontribute të mëdha, që kanë dhënë vazhdimisht të parët tanë, duke bërë në çdo kohë gjithçka për interesat tona të shenjta kombëtare.

Është detyra jonë, që këtë histori kaq të ndritur, të mbushur plot me heroizma dhe këto sakrifica pafund që bënë breza të tërë myzeqarësh, duke dhënë edhe jetën e tyre për Shqipërinë dhe kombin tonë, të mos i lemë më në errësirë që të humbasin përgjithmonë, por ti zbardhim, dokumentojmë e nderojmë, ashtu siç e meritojnë.

Ka ardhur koha që populli i qytetit dhe i rrethit të Fierit ta thotë më fuqishëm fjalën e vet, për ti mbrojtur e lartësuar vlerat e tij, duke i ngritur në piedestale nderi edhe heronjtë e dëshmorët e vet të Pavarësisë, si rilindësin Kostandin Minga, profesorin Jani Kostandin Minga, mësonjësit priftërinj At Irakli Pylli, At Spiro Saqellari, At Kozma Dhima, Ymer Hoxha, Llazi Spiro, Naun Doko Prifti e tjerë .

Ai nuk duhet të lejoj më kurrë, që disa neohaxhiqamilist jo vendalinj, me mentalitete anadollake dhe mllefe antimyzeqare, apo subash e bishtra të tjerë të Mehmet Shehut, të ulur në karrige drejtuse nga klani i tij i instaluar në Fier, që të na ngrenë në sheshet e qytetit tonë edhe buste e përmendore si atë të përmetarit Sejfulla Malishova, apo mallakastriotit Ramiz Aranitasi, të cilët duhet të nderohen nga populli i vet e në rrethet e tyre të origjinës.

Nuk do të ishte aspak ide e keqe edhe rindërtimi i Sarajeve të Omer Vrionit nga Bashkia e Fierit, në të cilën u mbajtën këto dy kuvende madhështore dhe u hodhën themelet e Pavarësisë e të Shtetit Shqiptar, si dhe “Sheshi i Mitingut” të këtij qyteti, ku foli plaku ynë i ndritur i Kaninës, Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi më 25 nëntor 1912, së bashku me kryetarin e pare te Bashkisë se Fierit, semanjakun Tonçi Kilica.

Nga : Themi J. Tushe, New York-Kingston, Pennsylvania

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar “Epopenë…