Kuvendi i Kosovës shpenzoi 48 për qind të buxhetit në paga dhe mëditje

19 shtator 2018 | 15:00

Përfaqësuesit e Komisioni për Buxhet dhe Financa kanë mbajtur të mërkurën mbledhjen e rregullt, në të cilën kanë diskutuar për raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e huas nga EIB për autostradën Kijevë-Zahaq, Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale dhe Projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Sa i përket raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, sekretari i këtij institucioni, Ismet Krasniqi, ka paraqitur në pika të shkurtra shpenzimet e Kuvendit.

Ai ka treguar se për paga dhe mëditje është shpenzuar 48 për qind e buxhetit, për mallra dhe shpenzime 25 për qind, për shpenzime komunale 25 për qind, kurse për shpenzimet kapitale është shpenzuar buxhet vetëm 1.5 për qind.

Ndërkaq, sa u përket shpenzimeve kapitale është dhënë vërejtje nga anëtarët e komisionit sa i përket shumës 1.5 për qind, ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka hedhur dyshime në këtë pikë, duke pohuar se kjo shifër e shumës është përsëritur.

Kurse, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se kjo përqindje e vogël është për shkak të zgjatjes së procedurave të prokurimit. “38 për qind e buxhetit të paraparë është shpenzuar në gjashtëmujorin e parë. Shpenzimet kapitale janë duke vazhduar nëpër procedura të prokurimit, dhe kjo po merr kohë shumë të gjatë. Ne shpresojmë se edhe ky shpenzim do të jetë në nivelin e parashikuar”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe marrëveshja për hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e Autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje ka thënë se kjo marrëveshje është ndër më të mëdhatë që Kosova ndonjëherë ka arritur. “80 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Investime, është marrëveshja më e favorshme që Kosova ka arritur. Sipas kësaj marrëveshje afati i kthimit është 30 vite, kurse grejs-periudha pesë vite”, ka deklaruar Hamza.

Mirëpo, deputetja Arbërie Nagavci, ka shprehur shqetësimin që Kosova po hyn në borxhe të mëdha.

Kurse, ministri Hamza në replikën e tij u zotua se nuk do të nënshkruajë marrëveshje e cila nuk i sjell përfitim vendit. “Kosova vazhdon të jetë me borxhin më të ulët në rajon që aktualisht sillet prej 16 për qind të bruto produktit. Jam në favor të asaj që për projektet që kanë përfitim t’i shfrytëzojmë mundësitë e tjera për financim. Po ju them se nuk negocioj dhe nuk e fus vendin në borxh për projektet që nuk kanë arsyeshmëri”, ka thënë Hamza.

Po ashtu, në mbledhjen e këtij komisioni ka raportuar edhe kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, për raportin e vitit 2017.

Ai ka thënë se sa i përket punës së AKP-së është shënuar progres në fushën e ofertuesve. “Kemi pasur një vit të mirë në vitin 2017. Por një nga brengat tona mbetet vendimi për pezullimin e shitjes së tokave të ndërmarrjeve shoqërore. Ne kemi biseduar dhe me akterë të Qeverisë dhe na është thënë se ky vendim është i përkohshëm. Kjo e ka ngushtuar harmonizimin e punës sonë pasi ne këtë e kemi paraparë në planifikimin e punës për vitin 2018. Qeveria ka shpronësuar prona që janë të ndërmarrjeve shoqërore dhe për këtë nuk janë kthye pagesat. Po ashtu, sfidë tjetër kemi edhe çështjen e Dhomës së Veçantë pasi është paralizuar puna me shkuarjen e gjyqtarëve të EULEX-it. Pos kësaj, kemi problem dhe me objektin ku funksionojmë pasi është objekt i vjetruar dhe konsiderohet i rrezikshëm”, ka thënë Gashi.

Me shumicë votash kanë kaluar të gjitha projektligjet dhe marrëveshjet.

/Epoka e re/ A. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për futsall, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e…